Presidenti amerikan Donald Trump dhe ai i Turqisë, Rexhep Taip Erdogan, janë duke zhvilluar bisedime private në Shtëpinë e Bardhë, pasi paraprakisht dolën para gazetarëve në Zyrën Ovale.
Trump u shpreh i lumtur për praninë e homologut të tij turk dhe bashkëpunimin me shtetin që ai udhëheqë, transmeton Klankosova.tv
Ai nuk e la pa e përsëritur pretendimin e tij se zgjedhjet e vitit 2020 në SHBA ishin të manipuluara dhe duke iu drejtuar Erdoganit, shtoi se “ai i di zgjedhjet e manipuluara më mirë se kushdo”.
Lidhur me naftën ruse, presidenti amerikan tha se do të donte të shihte Turqinë , një anëtare e NATO-s – të ndalonte blerjen e saj ndërsa lufta në Ukrainë vazhdon.
Erdogan tha se udhëheqësit planifikojnë të diskutojnë shitjen e avionëve luftarakë F-35 dhe F-16 të prodhuar në Amerikë, dhe Trump më vonë u pajtua.
I pyetur nëse do t’i heqë sanksionet amerikane ndaj Turqisë, Trump tha se do ta bënte këtë “pothuajse menjëherë” nëse do të kishin një takim të ‘mirë’ sot.
Lidhur me Gazën, Trump tha se beson se “jemi afër arritjes së një lloj marrëveshjeje” , veçanërisht pasi diskutoi situatën me udhëheqësit e vendeve të Lindjes së Mesme në OKB në fillim të kësaj jave.