Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban, ka reaguar ashpër nga Kopenhaga, ku po mbahet takimi joformal i krerëve të shteteve dhe qeverive të Bashkimit Evropian, si dhe samiti i Komunitetit Politik Evropian (KPE).
Përmes një postimi në platformën X, Orban ka paralajmëruar për një situatë të rëndë dhe rrezik të përshkallëzimit të konfliktit në Evropë, duke kritikuar propozimet e diskutuara në samit.
“Kopenhagë, dita e dytë. Situata është serioze. Në tryezë janë propozime të hapura për luftë. Dëshirojnë të dorëzojnë fonde të BE-së për Ukrainën. Po përpiqen të përshpejtojnë anëtarësimin e Ukrainës me çdo lloj manovrimi ligjor”, shkroi fillimisht ai.
“Dëshirojnë të financojnë dërgesat e armëve. Të gjitha këto propozime tregojnë qartë se ekipi nga Brukseli dëshiron luftë. Unë do të qëndroj fort me qëndrimin hungarez, por ky samit gjithashtu dëshmon se muajt në vijim do të karakterizohen nga kërcënimi i luftës. Do të na duhet mbështetja e gjithë komunitetit politik dhe çdo hungarezi që dëshiron paqe”, pohoi Orban.
Takimi në Kopenhagë, i kryesuar nga kryeministrja daneze Mette Frederiksen, është përqendruar në çështje kyçe të sigurisë evropiane, përfshirë kërcënimet hibride, migracionin dhe mbështetjen për Ukrainën.
Sipas burimeve zyrtare nga Këshilli i BE-së, liderët po shqyrtojnë mundësinë e përdorimit të pasurive të ngrira ruse për të financuar ndihmën për Ukrainën, si dhe përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të saj në BE. Propozimet kanë ngjallur debat të ashpër mes vendeve anëtare, për shkak të ndarjeve në qasjet ndaj konfliktit dhe mënyrës së financimit të ndihmës ushtarake.
Kujtojmë se Kosova në këtë samit po përfaqësohet nga presidentja Vjosa Osmani.
📍 Copenhagen, day two. The situation is serious. Outright pro-war proposals are on the table. They want to hand over EU funds to Ukraine. They are trying to accelerate Ukraine’s accession with all kinds of legal tricks. They want to finance arms deliveries. All these proposals… pic.twitter.com/86qEC83kIX— Orbán Viktor (@PM_ViktorOrban) October 2, 2025