Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, ka thënë se Rusia do të përgjigjet shpejt nëse mendon se Evropa po e provokon dhe ka thënë se pothuajse të gjitha shtetet e NATO-s po luftojnë kundër Rusisë.
Duke folur në Grupin e Diskutimit Valdai në Sochi, Putini ka thënë se forcat ruse po avancojnë në të gjithë vijën e frontit në Ukrainë.
“Të gjitha shtetet e NATO-s po luftojnë me ne”, ka thënë ai.
Shtetet anëtare të NATO-s, po e furnizojnë Ukrainën me armë, po e stërvisin e po e ndihmojnë me inteligjencë, ka thënë ai.
“Nëse dikush ka dëshirë të garojë me ne në fushën e ushtrisë, le të ndihen të lirë, le ta provojnë. Kundërmasat ruse nuk do të zgjasin për të mbërritur”, ka shtuar Putini.
Putini po ashtu ka mohuar deklaratat e presidentit amerikan Donald Trump se Rusia ishte “tigër prej letre” duke thënë se Rusia ka ushtrinë me kapacitetin më të madh në botë.
Ai ka thënë se nëse Rusia do të ishte tigër prej letre, atëherë edhe NATO-ja do të ishte diçka e tillë. Ai ka sfiduar Perëndimin që të merret me “tigrin prej letre” nëse e konsideron Rusinë si të tillë.