Kreu i BDI-së, Ali Ahmeti, e cilësoi të çuditshme mbështetjen që, siç tha ai, kreu i VV-së, Albin Kurti iu dha “njerëzve fare të panjohur dhe pa asnjë kontribut në Lëvizje a në çështjen kombëtare.”
Megjithatë, ai theksoi se nuk ndien hidhërim për përfshirjen e Kurtit në fushatat zgjedhore në Maqedoninë e Veriut.
Madje, sipas Ahmetit, partia të cilën Kurti e udhëheq nuk ndan të njëjtat qëndrime për vendimin e Kurtit.
“Me aq entuziazëm dhe aq energji u vu në shërbim të njerëzve fare të panjohur dhe pa një kontribut në Lëvizjen dhe çështjen kombëtare. A e bëri për zili?! A e bëri për strategji për miq të ri, siç e bëri mik Kristanin… nuk e di por nuk jam i hidhëruar që ai ka marrë pjesë në dy fushata këtu me gjithë partinë e tij, edhe pse besoj që e gjithë partia e tij nuk pajtohet me qëndrimet e Albin Kurtit – sepse unë i njoh një pjesë të Vetëvendosjes” – tha ai për Klan Kosova.