Plagosja e 44-vjeçarit në Suharekë – policia në kërkim të 21-vjeçarit

Plagosja e 44-vjeçarit në Suharekë – policia në kërkim të 21-vjeçarit

Një person ka mbetur i plagosur mbrëmjen e së shtunës në Shirokë të Suharekës. Policia përmes raportit 24 orësh bëri të ditur se deri te plagosja ka ardhur si rezultat i një mosmarrëveshje verbale.

Lidhur me këtë rast zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, ka dhënë detaje të reja.

Sipas Bytyqit, ngjarja ka ndodhur rreth orës 23:00, dhe personi i plagosur është një 44 vjeçar.

“Me datën 04.10.2025, rreth orës 23:00, policia ka pranuar informatën për një plagosje me armë zjarri në fshatin Shirokë, Suharekë. Patrullat policore menjëherë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe kanë ndërmarrë veprimet e para hetimore. Sipas informatave fillestare, pas një mosmarrëveshjeje paraprake mes dy personave, njëri prej tyre dyshohet se ka shtënë me armë zjarri, duke plagosur në këmbë personin ., mashkull, 44 vjeçar”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka theksuar se i plagosuri është dërguar fillimisht në QKMF Suharekë për ndihmë të parë dhe më pas në Spitalin Rajonal të Prizrenit, ku pas një intervenimi kirurgjik është liruar, pasi lëndimet janë cilësuar si të lehta.

I dyshuari për këtë rast është një 21 vjeçar i cili është identifikuar si A.F.

“Me urdhër të prokurorit kujdestar është kryer bastisje në shtëpia e të dyshuarit A.F., 21 vjeçar, mirëpo i njëjti nuk është gjetur aty. Aktualisht nuk dihet se çfarë arme është përdorur në rast. Sektori I Hetimeve Rajonale është duke punuar në arrestimin e të dyshuarit”, tha Bytyqi.

Related Articles