Emri i psikiatrit kosovar, Behar Kamberi, u bë i njohur në Shqipëri javën e kaluar, por jo për ndonjë sukses në punën e tij. Mbi dyshimet për përndjekje, 42-vjeçari përfundoi në prangat e Policisë shqiptare dhe tashmë ka dosje të hapur për vepër penale.
Viktima që e denoncoi Kamberin në organet e rendit doli të jetë një moderatore shqiptare, e cila, sipas raportimeve, ia bëri ‘gropën’ mjekut për ta kapur zyrtarët policorë.
Megjithëse ai u lirua, Prokuroria e Përgjithshme në Tiranë ka bërë të ditur se kjo çështje penale po hetohet, edhe pse Kamberi është liruar
“Nga verifikimi i kryer, rezulton se mbi bazën e kallëzimit të shtetases A.B është regjistruar procedimi penal nr. 7044 i vitit 2025 për veprën penale “Përndjekja” parashikuar nga neni 121/a i Kodit Penal, në ngarkim të shtetasit B.K.
Pas arrestimit të këtij shtetasi nga policia është urdhëruar lirimi i mënjëhershëm nga prokurori i gatshëm. Çështja vijon ende në hetim.”, thuhet në përgjigjen e Prokurorisë.
Mesazhe me tekste si: “…Të dua…dëshiroj të martohem me ty…” apo “…jeni shumë e bukur, dua tju takoj se kam ardhur nga Kosova vetëm për ju…”, thuhet se janë vlerësuar nga prokuroria si një komunikim krejt normal dhe aspak shqetësues, intimidues, apo kanosës për jetën e moderatores.
Çka thotë Neni 121/a i Kodit Penal të Republikës së Shqipërisë?
Bazuar në këtë nen, “kërcënimi ose ngacmimi i personit me anën e veprimeve të përsëritura, me qëllimin për t’i shkaktuar një gjendje të vazhdueshme dhe të rëndë ankthi apo frike për sigurinë vetjake, të një të afërmi ose të një personi, me të cilin ka lidhje shpirtërore, apo për ta detyruar të ndryshojë mënyrën e tij të jetesës, dënohet me burgim nga gjashtë muaj gjer në katër vjet”.