Kushtetuesja: Lejohet votimi ndaras për nënkryetarët e Kuvendit, konstituimi i obliguar për 12 ditë

Kushtetuesja: Lejohet votimi ndaras për nënkryetarët e Kuvendit, konstituimi i obliguar për 12 ditë

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka publikuar aktgjykimin e plotë për çështjen e seancës konstituive, pas ankesës së Listës Serbe për moszgjedhjen e një nënkryetari nga komuniteti serb.

Në vendimin (KO265/25), Gjykata konstatoi se Kuvendi ende nuk është konstituar plotësisht, pasi nuk është zgjedhur nënkryetari nga komuniteti serb, siç kërkohet me nenin 67 të Kushtetutës.

Sipas aktgjykimit, seanca konstituive e mbajtur më 26 dhe 28 gusht 2025 është zhvilluar me parregullsi procedurale, për shkak se kryesuesi i seancës kishte ndarë procesin e votimit në mënyrë të veçantë për komunitetet jo-shumicë – fillimisht për atë serb dhe më pas për komunitetet e tjera joshumicë. Ky veprim, sipas parashtruesve të kërkesës, ka cenuar barazinë dhe të drejtën e përfaqësimit të komuniteteve.

Në dokument thuhet se votimi për nënkryetarët nga radhët e shumicës u zhvillua “në pako”, ndërsa përfaqësuesit e komuniteteve joshumicë u votuan ndaras, gjë që sipas deputetëve nënshkrues të kërkesës (të komunitetit serb) bie ndesh me nenin 67 të Kushtetutës dhe Rregulloren e Kuvendit.

Gjykata, duke shqyrtuar edhe aktgjykimet e mëparshme (KO124/25, KO193/25 dhe KO196/25), vendosi të vazhdojë masën e përkohshme që ndalon formimin e institucioneve të tjera deri në përfundimin e plotë të konstituimit të Kuvendit.

Në vendimin e saj, Gjykata kërkon që Kuvendi të respektojë parimet kushtetuese të barazisë dhe përfaqësimit të komuniteteve, si dhe që deputetët të ushtrojnë funksionet e tyre në përputhje me Kushtetutën dhe Rregulloren gjatë procedurës së re të votimit.

Procesi për zgjedhjen e nënkryetarëve pritet të rifillojë pas hyrjes në fuqi të vendimit, ndërsa Kuvendi duhet të sigurojë që zgjedhja të bëhet me konsensus dhe në një procedurë të vetme, pa diskriminim mes komuniteteve.

Në përbërjen e Kuvendit, Lista Serbe i ka nëntë ulëse që janë të rezervuara për komunitetin serb dhe një tjetër e ka fituar Nenad Rashiq nga partia serbe Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, i cili është edhe ministër në detyrë në Qeverinë e Albin Kurtit.

“Përfaqësimi i komuniteteve që nuk janë shumicë në strukturën e Kryesisë së Kuvendit, është garanci kushtetuese, në mënyrë që edhe komunitetet që nuk janë shumicë, respektivisht, komuniteti serb dhe komunitetet tjera që nuk janë shumicë, të përfshihen në funksionimin e plotë të Kryesisë së Kuvendit duke iu mundësuar atyre që të marrin pjesë në vendimmarrjen e Kryesisë së Kuvendit, në mënyrën e përcaktuar në Rregulloren e Kuvendit”, ka thënë mes tjerash Gjykata në arsyetimin e vendimit të marrë.

Pavarësisht se kanë kaluar muaj prej mbajtjes së zgjedhjeve parlamentare, Kosova vazhdon të mos i ketë institucionet e reja. Partitë më të mëdha shqiptare nuk kanë arritur pajtueshmëri për të çuar procesin përpara dhe për rrjedhojë Gjykata Kushtetuese është detyruar të dalë disa herë me aktgjykime.

Në zgjedhjet parlamentare, Lëvizja Vetëvendosje ka dalë e para dhe i ka fituar 48 ulëse në Kuvend.

Partia Demokratike e Kosovës ka dalë e dyta me 24 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe me nëntë dhe koalicioni mes Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate, me tetë të tilla. Ulëset tjera janë të pakicave.

Related Articles