Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) ka reaguar pas një kërcënimi serioz që, sipas raportimeve, udhëheqësi i tifozëve të Kombëtares së Kosovës, Lulzim Berisha, ka bërë ndaj gazetarit të Vox Kosova, Valon Rashiti.
Sipas dëshmisë së gazetarit, gjatë një ceremonie Berisha i është drejtuar atij me fjalët: “Kam me të ngreh zhag, ka me të shky si zhabën.”
AGK-ja e ka dënuar fuqishëm këtë kërcënim publik, duke e cilësuar si cenim të drejtpërdrejtë ndaj integritetit fizik dhe sigurisë së gazetarit Rashiti.
“Një gjuhë e tillë është e papranueshme dhe pengon gazetarët që të kryejnë detyrën e tyre profesionale në mënyrë të lirë dhe të sigurt,” thuhet në reagimin e AGK-së.
Asociacioni ka bërë të ditur se do ta monitorojë nga afër denoncimin që gazetari Rashiti e ka paraqitur pranë organeve të sigurisë dhe drejtësisë.
AGK-ja gjithashtu i ka bërë thirrje Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK) që të distancohet qartë nga një sjellje e tillë dhe të ndërmarrë masa të duhura ndaj autorit të kërcënimit.