Pas Kurtit, edhe Gërvalla kërkon hetim ndaj exit-polleve për parashikimet në Mitrovicë

Pas Kurtit, edhe Gërvalla kërkon hetim ndaj exit-polleve për parashikimet në Mitrovicë

Kryetarja e partisë Guxo, Donika Gërvalla, ka kërkuar hetim ndaj kompanive të exit-polleve në Kosovë, të cilat parashikuan një fitore të bindshme të Arian Tahirit të PDK-së në Mitrovicë, kundrejt kandidatit të tyre dhe VV-së, Faton Pecit.

“Partia Guxo shpreh shqetësim të thellë për ndërhyrjet e dyshuara dhe manipulimet e qëllimshme që janë bërë gjatë ditës së zgjedhjeve lokale, më 12 Tetor, në raportimet për Komunën e Mitrovicës. Publikimi i lajmeve dhe rezultateve të rreme, para përfundimit të procesit të votimit, dhe shpërndarja e exit-polleve me dallime skandaloze prej mbi gjashtëmbëdhjetë përqind nga më shumë se një organizatë dhe për të njëjtën komunë, përbëjnë një rast të paprecedent që cenon drejtpërdrejt integritetin e procesit zgjedhor”, shkroi Gërvalla në një postim.

Ministrja e Jashtme në detyrë tha se këto veprime “nuk janë thjesht pasojë e ndonjë gabimi teknik apo “huqjeje” të rastësishme, por tregojnë për një inxhiniering të mirëfilltë të ndërhyrjes në zgjedhje, me synim ndikimin në perceptimin publik dhe në rezultatin përfundimtar”.

“Partia Guxo u bën thirrje institucioneve të drejtësisë dhe të sigurisë që të hetojnë në mënyrë të plotë dhe të paanshme këtë çështje, për të zbardhur përgjegjësitë individuale dhe institucionale. Ruajtja e besimit qytetar në proceset zgjedhore është shtylla themelore e demokracisë dhe çdo tentativë për ta cenuar atë duhet të trajtohet me seriozitetin më të lartë. Partia Guxo mbetet e përkushtuar në mbrojtjen e integritetit të votës së lirë, të procesit demokratik dhe të institucioneve të Republikës së Kosovës”, u tha tutje në reagim.

Related Articles