Trump: India do të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia

Trump: India do të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, deklaroi se kryeministri indian Narendra Modi e ka siguruar se India do të ndalojë blerjen e naftës nga Rusia, në kuadër të përpjekjeve të Uashingtonit për të ndërprerë të ardhurat energjetike të Moskës.

“Nuk isha i kënaqur që India po blinte naftë nga Rusia, por ai (Modi) më siguroi sot se nuk do të blejnë më,” tha Trump gjatë një eventi në Shtëpinë e Bardhë. “Ky është një hap i madh. Tani synojmë të bindim edhe Kinën të bëjë të njëjtën gjë,” shtoi ai.

India dhe Kina janë ndër blerësit më të mëdhenj të naftës ruse të transportuar me anije, duke përfituar nga çmimet e ulëta që Rusia ka ofruar pas sanksioneve të Perëndimit, të vendosura pas pushtimit të Ukrainës në shkurt 2022.

Trump ka rritur presionin ndaj Indisë muajt e fundit, përfshirë vendosjen e tarifave ndaj disa produkteve indiane, në përpjekje për të frenuar blerjen e naftës ruse dhe për të shtuar trysninë mbi Moskën që të negociojë për paqen në Ukrainë.

Ambasada indiane në Uashington nuk e ka konfirmuar ende një marrëveshje të tillë apo ndonjë zotim zyrtar për ndalimin e importit të naftës nga Rusia.

Megjithatë, analistët vlerësojnë se rënia e çmimeve globale të naftës mund të zbusë ndikimin ekonomik për Indinë nëse ndal blerjet nga Rusia.

Related Articles