Ish-kryeshefi i Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi, është paraqitur para Gjykatës Themelore në Prishtinë për shqyrtimin gjyqësor në rastin KEK 1.
Shqyrtimi gjyqësor në rastin për korrupsion ka vazhduar të enjten me dëshminë e Hasan Kerollit, ekspertit të lartë për analiza të tregut dhe tregtim të energjisë në KEK.
Më 3 korrik 2025, Krasniqi është deklaruar i pafajshëm para Gjykatës Themelore në Prishtinë lidhur me akuzat për keqpërdorim të detyrës zyrtare, në nisje të gjykimit për aktakuzën e parë ndaj tij.
Prokuroria Speciale pretendon se Krasniqi ia mundësoi kompanisë sllovene “Holding Slovenske Elektrane” (HSE) që të tregtojë energji pa pasur licencë në Kosovë, duke i shkaktuar dëm shtetit prej rreth 3.2 milionë eurosh.
Aktakuza e ngarkon Krasniqin se pak ditë pasi që e ka marrë detyrën e kryeshefit të KEK-ut, ia ka mundësuar kompanisë “Holding Slovenske Elektrane” tregtimin e rrymës në Kosovë, në kundërshtim me Ligjin për Energjinë Elektrike dhe atë për Zyrën e Rregullatorit. Sipas aktakuzës, Krasniqi me dashje e ka aprovuar blerjen dhe ka nënshkruar kontrata me kompaninë sllovene, ndonëse ka qenë në dijeni se tregtimi i energjisë nuk mund të bëhej me kompani të palicencuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).