Kreu i BDI-së dhe themeluesi i Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Ali Ahmeti, mori pjesë në protestën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së, shkruan Gazeta Enigma.
Ai tha se akuzat ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës janë të fabrikuara nga qarqet e errëta serbo-ruse.
“Të dashur ushtarë të lirisë, faleminderit Shqipëri, faleminderit nënë. Na ke pritur si nëna bijtë. Doja të përshëndes Alfred Moisiun, që vetë ka qenë luftëtar i lirisë. Sot jemi bashkë, Tiranë, Prishtinë e Shkup, kështu qofshim gjithmonë. Lufta jonë ishte e drejtë, ishte për pragun e shtëpisë, për miqësi me SHBA-të dhe BE-në. Zanafilla e Speciales është tek fabrikimet serbo-ruse. Kohë më pas, Dick Marty riaktivizoi mediatikisht këtë temë përsëri me porosi serbo-ruse, që bëri që të themelohet Specialja. Kjo gjykatë u themelua nga Kosova”, tha ai.
Ai poashtu theksoi se “Akt-akuza është riciklim i akuzave të mëhershme ndaj Haradinajt e Fatmir Limajt”. “Sot ata po gjykohen si çlirimtarë, ata kapën pushkën për të mbrojtur pragun e shtëpisë nga gjenocidi serb. UÇK-ja nuk ka shkelur asnjëherë ligjet e luftës e kjo është dëshmuar deri më sot në gjitha gjykatat ndërkombëtare. UÇK-ja ka qenë e mbetet partnere e SHBA-ve dhe e BE-ve”, deklaroi Ahmeti.