Berisha: Koalicioni VV–LDK në Vushtrri fillimisht u aprovua nga Abdixhiku

Berisha: Koalicioni VV–LDK në Vushtrri fillimisht u aprovua nga Abdixhiku

Avokati Besnik Berisha ka reaguar rreth koalicionit mes kandidatit të Lidhjes Demokratike, Xhafer Tahiri, dhe kandidatit të Lëvizjes Vetëvendosje në Vushtrri, vendim nga i cili më pas u distancua kryesia qendrore e LDK-së.

Sipas Berishës, bashkëpunimi mes dy subjekteve politike “nuk ka ndodhur rastësisht”, por është diskutuar dhe miratuar nga vetë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Sipas tij, vetëm mbrëmë — pasi situata ndryshoi — u kërkua që marrëveshja të anulohej ose të mos bëhej publike.

Avokati gjithashtu ka pretenduar se në këmbim të votës në Vushtrri, është kërkuar edhe përkrahje për kandidatin e LDK-së në Suharekë, Ardian Shalën, dhe se kjo mbështetje tashmë është siguruar, ndonëse sipas tij, po tentohet të mbahet e fshehtë.

“Me i ra pishman ka drejt secili, ama me iu servu të pavërteta anëtareve të familjes është gjynah bre…!

Për mos me i hy në hak askujt, po aq sa për ta thënë të vërtetën e plotë, edhe kur e vërteta dhemb, koalicioni me VV ne Vushtrri nuk ka ndodhe rastësisht.

Ai është diskutuar, aprovuar dhe lejuar nga vet kryetari i LDK-se, Lumir Abdixhiku, deri mbrëmë, kur gjerat kanë ndryshuar, e kur është kërkuar me anulu, ose jo publikisht me realizu.

Madje, nëse duan me tregu drejt, në këmbim te asaj vote ne Vushtrri, është kërkuar përkrahje edhe në Suharekë për Ardianin. Kjo përkrahje është siguru dhe kështu është edhe për Suharekë, ndonëse po përpiqen ta mbajnë msheft.

Për këto, dikush ka prova.” – tha ai.

Berisha ka kujtuar një deklaratë të Abdixhikut dhënë në emisionin “Pressing”, ku ky i fundit kishte pranuar se në garën në Vushtrri, Vetëvendosje mund të ishte faktori përcaktues për fituesin mes LDK-së dhe PDK-së.

“Po e mbylli me një citat te kryetarit Abdixhiku, thënë tek Leo në Pressing:

“Tash, në garën në Vushtrri, ku LDK do të jetë në garë potencialisht me PDK-në, është Vetëvendosje ajo që bën fituesin dhe njëra prej partive duhet të bëjë marrëveshje me Vetëvendosjen për Vushtrrinë”

Nejse… kaq sa për “rrugën pa busulle” dhe për “konsistencën” qe shpesh i dëgjojmë në deklarata, por rrallë i shohim në veprim”.

Related Articles