Komunat e Republikës së Kosovës po dëshmojnë efikasitet dhe përkushtim të lartë në menaxhimin e financave publike. Kështu deklaroi drejtori ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi, duke theksuar se rreth 70% e buxhetit për investime kapitale tashmë është realizuar nga niveli lokal, shkruan Gazeta “Enigma”.
Ibrahimi ka theksuar se zakonisht për menaxhimin e mirë të financave publike përmendet qeveria qendrore, të dhënat e fundit tregojnë një realitet tjetër.
Në një përgjigje për Gazetën “Enigma” Ibrahimi tha se janë komunat ato që po udhëheqin me planifikim dhe zbatim të projekteve që sjellin përfitime të drejtpërdrejta për qytetarët – siç janë shkollat, çerdhet, rrugët dhe infrastruktura tjetër publike.
“Niveli i lartë i realizimit të buxhetit nga komunat tregon qartë se, pavarësisht sfidave buxhetore dhe burokracisë, qeverisja lokale po punon çdo ditë për të përmbushur nevojat e qytetarëve,” tha Ibrahimi.
Ai kritikoi nivelin qendror të qeverisjes, duke theksuar se ministritë dhe Zyra e Kryeministrit nuk kanë arritur të shpenzojnë as 40% të buxhetit të tyre për investime kapitale. Kjo sipas tij, ngrit pyetje serioze mbi planifikimin dhe menaxhimin e projekteve në nivel qendror.
“Besoj se niveli qendror (ministritë dhe zyra e Kryeministrit) nuk kanë arritur t’i shpenzojnë as 40% të buxhetit për investime kapitale. Kjo jo vetëm që ngre pyetje serioze për planifikimin dhe menaxhimin e projekteve në ministri dhe në Zyrën e Kryeministrit, por edhe krijon një kontrast të thellë me angazhimin e komunave”, deklaroi Ibrahimi për “Enigmën”.
“Ky kontrast tregon një të vërtetë të thjeshtë: qytetari fiton më shumë kur vendimmarrja dhe mjetet financiare janë më afër tij,” u shpreh ai, duke shtuar se komunat kanë dëshmuar se dinë ta përdorin buxhetin për të mirën e përditshme të njerëzve.
Ibrahimi kërkoi që mjetet e pashpenzuara nga buxheti qendror – që kapin shifra prej qindra milionë eurosh çdo vit – të ri-destinohen për të mbuluar pasojat financiare të kontratave kolektive në komuna.
Ai theksoi se këto kontrata kanë krijuar barrë të madhe buxhetore për komunat dhe se pa mbështetje të qeverisë qendrore, rrezikohet funksionimi normal i tyre dhe ofrimi i shërbimeve bazike për qytetarët. /Gazeta Enigma/