Deputetja nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Jehona Lushaku-Sadriu, ka thënë se subjekti në të cilin bën pjesë ajo nuk është përgjegjës për formimin e Qeverisë së re pas zgjedhjeve nacionale të 9 shkurtit.
Në emisionin “Ora Shtatë”, ajo ka deklaruar se barrën për këtë e ka Lëvizja Vetëvendosje, që doli e para nga zgjedhjet e lartcekura, dhe se Lidhja Demokratike e Kosovës nuk mund të mbahet përgjegjëse vetëm sepse ka refuzuar koalicionin qeverisës,
“Autorizimet dhe legjitimitetin për ta formuar Qeverinë e ka pasur kryeministri që sot është në detyrë, i cili po e luan rolin edhe të kryeministrit edhe të deputetit, ai ka pasur shumicën si parti e parë dhe ishte dashur ta sigurojë shumicën në Kuvend për ta marrë legjitimitetin për Qeveri”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës nuk është e vetmja parti. Është e pakuptimtë ta akuzosh dikë ‘unë po të dua dhe ti nuk po më do’. Ndërkohë, janë edhe shumë të tjerë që mundesh t’i duash njëkohësisht”, ka thënë Lushaku-Sadriu.
Lushaku-Sadriu ka theksuar se me LVV-në kanë dallime të mëdha, duke filluar nga aspekti ideologjik, por edhe se ata janë për disa vlera që LVV-ja i ka shkatërruar gjatë mandatit të Qeverisë së fundit që ka drejtuar.
