Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë në Kosovë, vlerëson se vendimi final për nivelin e pagës minimale duhet të merret vetëm atëherë kur Kosova të ketë institucione funksionale dhe fuqiplota, të bëhet një analizë e thelluar e gjendjes ekonomike, dhe propozimi për pagën minimale të vijë përmes Këshillit Ekonomiko-Social, e jo përmes Ministrisë së Financave.
Ky reagim erdhi pasi u përfol se ministri i Ekonomisë, Hekuran Murati, i ka premtuar sektorit privat një pagë minimale prej 500 eurosh.
Dhoma e Tregtisë tha se propozon që paga minimale të përcaktohet në formë të përshkallëzuar, duke ndryshuar sipas nivelit të arsimit, përvojës, moshës apo sektorit të punës – praktikë e ndjekur në shumë vende evropiane.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë dëshiron të sqarojë për publikun se nuk është kundër rritjes së pagës minimale, ashtu siç nuk ka qenë as herën e fundit kur është marrë vendimi për këtë çështje. Vendimet e marra ad-hoc dhe pa konsultime me përfaqësuesit e bizneseve, kanë sjellë vështirësi dhe pasiguri të mëdha për bizneset e sektorit privat”, u tha në reagim.
“Rritja e çmimit të energjisë prej 16.1% për konsumatorët e rregulluar dhe nxjerrja e bizneseve në mënyrë të detyruar në Tregun e Liberalizuar të Energjisë, ka bërë që shumë kompani të pranojnë fatura trefish më të larta, ndërkohë që përballen çdo ditë me reduktime shumë-orëshe të energjisë dhe pa paralajmërim, duke e bërë edhe më të pasigurt të ardhmen e tyre si në ruajtjen e prodhimit aktual, ashtu edhe të punëtorëve të çmuar”
“Po ashtu, bllokada e shkaktuar tash e dy vjet nga hyrja në fuqi e Ligjit për Pronën Publike, i miratuar pa konsultim me komunitetin e biznesit, ka dërguar në falimentim dhjetëra kompani dhe ka lënë shumë punëtorë pa punë”.
“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë shpreh gatishmërinë e saj për të kontribuar në gjetjen e zgjidhjeve që do të mundësonin përfshirjen e mbi 600 mijë personave joaktivë në tregun e punës, përmes trajnimeve profesionale dhe formave të tjera të zhvillimit të aftësive, pasi bizneset në Kosovë kanë nevojë urgjente për punëtorë të kualifikuar”, u tha në fund të reagimit.
