Britania e Madhe e ka mirëpritur njohjen e pavarësisë së Kosovës nga Siria.
Ambasadori britanik, Jonathan Hargreaves ka thënë se kjo njohje shënon hap të rëndësishëm përpara në pozitën ndërkombëtare të Kosovës dhe për rrugëtimin e saj euroatlantik.
Hargreaves ka ftuar edhe shtetet tjera që ende nuk e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, që ta bëjnë këtë.
“Mbretëria e Bashkuar ka qëndruar me krenari përkrah Kosovës që nga dita e parë dhe ne vazhdojmë të inkurajojmë të gjitha shtetet t’i bashkohen konsensusit në rritje në mbështetje të pavarësisë, demokracisë dhe së ardhmes shumetnike të Kosovës. Njohja ka rëndësi: ajo forcon paqen, stabilitetin dhe bashkëpunimin në të gjithë Ballkanin Perëndimor”, ka shkruar ambasadori.
Lajmin për njohjen e Kosovës nga Siria e kumtoi mbrëmë Presidentja Vjosa Osmani nga Riadi.
Kjo është njohja e tretë këtë vit, pas asaj nga Sudani dhe Kenia.

 
											 
											 
											 
											 
											 
											