Haradinaj i uron suksese Nismës në zgjedhje, flet edhe për pragun zgjedhor

Haradinaj i uron suksese Nismës në zgjedhje, flet edhe për pragun zgjedhor

Pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit të këtij viti, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) siguroi 5 deputetë dhe Nisma Socialdemokrate 3 deputetë në Kuvend, të cilat hynë si koalicion parazgjedhor në ato zgjedhje.

Menjëherë pas zgjedhjeve, Nisma vendosi të largohet nga koalicioni parazgjedhor me AAK-në dhe kreu i saj, Fatmir Limaj u shpreh i hapur për bashkëpunim me Lëvizjen Vetëvendosje (që po duket se tash pas gati 9 mujash nuk kulmoi me sukses), ndërkohë që AAK-ja kritikonte kreun e VV-së, Albin Kurtin.

Në këtë kontekst, kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka folur në Debat Plus për mundësinë e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe për strategjinë e partisë së tij.

Ai ka shprehur qartë se Aleanca do të garojë e vetme, duke synuar një rezultat të fortë zgjedhor.

“Sa i përket pragut që po diskutohet prej shumë qytetarëve. Unë pa të keqe i uroj suksese çdo subjekti politik, në këtë rast edhe Nismës edhe të tjerëve në zgjedhje. Ne kur kemi bërë koalicion me Nismën e me kolegë, ne kemi pas 40 pozicione në listë për palë tjera, për njerëz jashtë Aleancës. Nëse do t’i merrnim 40 asamblistët më të votuar të AAK-së, mund ti shtonim votat tona.

Ne nuk mbesim ndër 70 mijë vota në asnjë situatë zgjedhore. Unë kam qenë në Hagë, kemi pas sfida, por brenda AAK ka njerëz të zotë, profesionistë, ka rekorde të punëve të mira që ka bërë për këtë vend. Ne i targetojmë 100 mijë vota”, ka thënë Haradinaj në Debat Plus.

“Sa për pragun faleminderit të gjithë që na mbajnë dertin, por u kisha thënë mos e mbani shumë dertin se e kalojmë mirë… do të shkojmë të vetëm në zgjedhje”, ka shtuar Haradinaj.

Related Articles