Qeveria në detyrë e ka miratuar projektbuxhetin për vitin 2026, që kap vlerën e rreth 4 miliardë eurove.
Në këtë projektbuxhet parashihen një sërë masash, si paga e 13-të për të punësuarit në sektorin publik, rritja e pensioneve, rritja e pagës minimale e rritja e shtesave për fëmijë.
Mirëpo, ky vendim i qeverisë në detyrë po has në kritika.
Njohësi i politikave, Shenoll Muharremi, ka thënë se premtimi i Kurtit për pagën e 13-të u bë me qëllim që të përfitohet në vota.
Madje, ai thotë se ky veprim do të ketë pasoja për bizneset e do ta rrisë inflacionin.
“Paga e 13-të… se po na duhen ma shumë vota nga sektori publik. S’ka lidhje që i rëndojmë bizneset edhe ma shumë, i rrisim çmimet e inflacionin edhe më shumë. E importet, deficiti e migrimi që rriten ende, s’na intereson. Le të zbrazet Kosova krejt, vetëm pushtetin te ruajmë. Qato vota po i dojmë, se s’kemi sa duhet për pushtet absolut”, tha ai.
Muharremi kritikoi Lëvizjen Vetëvendosje, duke e cilësuar të njëjtën si parti që e rrezikon ekonominë dhe shtetin për vota.
“Një parti që e rrezikon seriozisht ekonominë dhe shtetin për vota e pushtet absolut nuk mundet me pas të ardhme të mirë”, deklaroi Shenoll Muharremi.

 
											 
											 
											 
											 
											 
											