Prodekani i Fakultetit të Arteve, Mehmet Behluli është deklaruar të martën i pafajshëm për akuzën se në tetor të vitit 2017 kishte kapur për fyti këngëtarin Alban Nimani dhe të njëjtin e kishte shtyrë jashtë zyrës.
“Komplet të pafajshëm e ndjej veten, e refuzoj aktakuzën”, ka thënë Behluli që edhe tash mban pozitën e Prodekanit në Fakultetin e Arteve në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina”.
Ndërkaq, gjykatësi i rastit Gent Beka ka njoftuar palët në procedurë se kanë afat prej 30 ditësh për të parashtruar kërkesën për hedhjen e aktakuzës dhe kundërshtimin e provave.
Gjatë kësaj seance në Gjykatën Themelore në Prishtinë, prokurorja e shtetit Ajshe Ferati ka bërë rikualifikimin e veprës penale nga “Sulmi” i paraparë në Kodin e vjetër Penal në nenin 187 par.1 në veprën “Sulmi” në Kodin e ri Penal në nenin 184 par.1, ku dënimi parashihet me gjobë ose me burgim deri në një vit.
Gjatë kësaj seance, të pranishëm ishin edhe i dëmtuari Nimani me mbrojtësen Merita Stublla Emini si dhe mbrojtësi i palës së akuzuar Arsim Bilalli.
Ndryshe, ky rast njëherë është dërguar në ndërmjetësim, por meqë nuk është arritur ndonjë rezultat me ndërmjetësim, palët kanë filluar përsëri procedurën në gjykatë, raporton Betimi për drejtësi.
Në bazë të aktakuzës së ngritur më 14 shkurt 2018, Mehmet Behluli po akuzohet se me datë 12 tetor 2017, rreth orës 11:15 në Prishtinë, pas një mosmarrëveshje të atëçastshme që kishte me të dëmtuarin Alban Nimani, me dashje ka përdorë forcë ndaj tij.
Më tutje sipas aktakuzës, deri sa i dëmtuari Nimani kishte dashtë të hynte në zyrën e Prodekanit të Fakulteteve të Arteve, i akuzuari e kishte kapur për fyti dhe e kishte shtyrë jashtë zyrës.