Presidenti amerikan, Donald Trump, prezantoi një sërë marrëveshjesh tregtare, diplomatike dhe minerare, teksa mirëpriti udhëheqësit e Azisë Qendrore në një samit dhe një darkë që synonin forcimin e ndikimit të Uashingtonit në rajon.
I shoqëruar nga sekretari amerikan i Shtetit, Macro Rubio, dhe nga nënpresidenti JD Vance, në një tryezë të gjatë në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se ai ishte i përkushtuar që ta bënte raportin e SHBA-së me Azinë Qendrore “më të fortë se kurrë më parë”, ndërsa presidentët e Kazakistanit, Kirgizisë, Taxhikistanit, Turkmenistanit dhe Uzbekistanit thanë se kjo është një epokë e re e bashkëpunimit.
Para darkës së punës, Kazakistani njoftoi për një marrëveshje të madhe minerare përmes një partneriteti të ri të përbashkët me SHBA-në për zhvillimin e njërës nga rezervat më të mëdha të pashfrytëzuara të tungstenit në botë, që gjendet në territorin kazak.
Sipas marrëveshjes, kompania amerikane Cove Kaz Capital Group do të ketë 70 për qind të aksioneve në këtë projekt të përbashkët me kompaninë shtetërore minerare të Kazakistanit, dhe kostoja totale e projektit vlerësohet të jetë 1.1 miliard dollarë. Ndërkaq, Banka Amerikane Eksport-Import do të lëshojë një letër interesi për të financuar projektin me 900 milionë dollarë.
Në mesin e marrëveshjeve të arritura gjatë samitit ishte edhe një marrëveshje, për të cilën ende nuk dihen detajet e hollësishme, për shitjen e deri 37 aeroplanëve Boeing për linjat kombëtare të Kazakistanit, Taxhikistanit dhe Uzbekistanit. Në aspektin diplomatik, Kazakistani tha e pret t’i bashkohet Marrëveshjeve të Abrahamit, kornizës që udhëhequr nga SHBA-ja për bashkëpunim mes Izraelit dhe shteteve arabe e myslimane.
Zyrtarët amerikanë thanë se samiti kishte për qëllim sinjalizimin e një angazhimi të ri të SHBA-së për t’u përfshirë në mënyrë më të qëndrueshme me Azinë Qendrore.
“Shpeshherë shpenzojmë shumë kohë të përqendruar në kriza dhe probleme, dhe ato meritojnë vëmendje, por ndonjëherë nuk i kushtojmë kohë të mjaftueshme mundësive të reja”, tha Rubio gjatë një mëngjesi pune me pesë udhëheqësit e Azisë Qendrore më 6 nëntor.
“Dhe, pikërisht kjo ekziston tani: një mundësi e re në të cilën interesat kombëtare të shteteve tona përputhen”.
Azia Qendrore po përpiqet të balancojë marrëdhëniet e saj tregtare dhe të sigurisë, që vazhdojnë të dominohen nga Kina dhe Rusia, duke thelluar lidhjet me Shtetet e Bashkuara.
Samiti në Uashington vjen pas përpjekjeve të tjera të fuqive të mëdha këtë vit për të forcuar raportet me këtë rajon. Presidenti rus, Vladimir Putin, mori pjesë në një samit në Taxhikistan në shtator me udhëheqësit e tjerë të Azisë Qendrore, ndërsa udhëheqësi kinez Xi Jinping, qëndroi në Kazakistan në qershor për një takim me presidentët e rajonit.
Bashkimi Evropian gjithashtu mbajti një samit me liderët e rajonit në prill në Uzbekistan për të diskutuar mbi investimet në infrastrukturë dhe qasjen në mineralet kritike të Azisë Qendrore.
Pasuritë minerare të rajonit ishin sërish në fokus në Uashington, pasi rajoni ka rezerva të mëdha të mineraleve të rralla të tokës – 17 elemente që përdoren për gjithçka, nga turbinat e erës deri te telefonat e mençur e motorët për avionët luftarakë – si dhe depozita të mëdha të uraniumit, bakrit, arit dhe mineraleve të tjera strategjike që janë thelbësore për përpjekjet globale për tranzicionin drejt formave më të gjelbra të energjisë.
Pini Althaus, drejtori ekzekutiv i kompanisë Cove Kaz Capital Group, që nënshkroi marrëveshjen për tungstenin në Kazakistan, e quajti këtë marrëveshje “një fitore të madhe për SHBA-në dhe nevojat e saj për minerale kritike” dhe i tha agjencisë Reuters se presidenti Trump dhe sekretari amerikan i Tregtisë, Howard Lutnick, ndihmuan në negocimin e marrëveshjes për të parandaluar që kompanitë kineze ta zhvillonin këtë rezervë strategjike.
Marrëveshjet pasojnë një armëpushim në luftën tregtare midis Pekinit dhe Uashingtonit, si dhe një konkurrence gjithnjë e më të ashpër midis SHBA-së dhe Kinës për eksportin e mineraleve të rralla të tokës, një pikë kyç në mosmarrëveshjet që kanë palët gjatë negociatave të tyre tregtare.
Kjo çoi në një pauzë njëvjeçare të disa kufizimeve të Kinës për eksportin e këtyre metaleve pas një takimi të mbajtur në fund të tetorit midis Trumpit dhe Xisë.
Tani Uashingtoni po kërkon mënyra të reja për të shmangur Pekinin në tregtinë e metaleve, pasi Kina nxjerr rreth 70 për qind të mineraleve të rralla të tokës në botë dhe kontrollon rreth 90 për qind të përpunimit të tyre.
Përderisa Azia Qendrore mund të jetë një burim afatgjatë, ky rajon shpreson që investimet e reja do ta ndihmojnë që të zhvillojë këto burime.
