Pesë raste të dhunës në familje të premten

Pesë raste të dhunës në familje të premten

Të premten në Kosovë janë regjistruar pesë raste të dhunës në familje, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.

Në Istog, dy të dyshuar kanë sulmuar fizikisht një grua dhe më pas e kanë pranuar veprën.

“Janë arrestuar dy të dyshuar femër dhe mashkull, pasi ata kanë sulmuar fizikisht viktimën femër kosovare. Të dyshuarit kanë pranuar veprën e kryer dhe pas intervistimit me vendim të prokurorit janë liruar në procedurë të rregullt”, thuhet në Raportin e Policisë së Kosovës”.

Ndërkaq, në Dreans, djali dyshohet se ka sulmuar prindërit dhe i ka larguar nga shtëpia.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, nën dyshimin se ka sulmuar fizikisht prindërit e tij të cilët edhe i ka  larguar nga shtëpia. Me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje”.

Në Ferizaj, një grua ka raportuar për presion psikik nga bashkëshorti i saj të cilit i është konfiskuar arma e zjarrit.

“Është raportuar se viktima femër kosovare, ka presion psikik nga bashkëshorti i saj i dyshuari mashkull kosovar. Gjatë intervistimit, i dyshuari ka pranuar se posedon armë zjarri. Arma me katër karikatorë, 235 fishekë dhe leja për posedim janë konfiskuar. Me urdhër të prokurorit i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt”.

E në Gjakovë një person është arrestuar nën dyshimin se ka rrahur motrën e tij.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ai ka sulmuar fizikisht motrën e tij. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit pas intervistimit është liruar në procedurë të rregullt”.

Ndërsa në Rahovec një person ka rrahur edhe gruan edhe të bijën.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi ai ka ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes dhe vajzës së tij. Me vendim të prokurorit të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa është dërguar në spitalin psikiatrik të Gjakovës”.

Related Articles