Murati: Akuzat e PDK-së për vjedhje votash – rrëfim për mëkatin e tyre

Murati: Akuzat e PDK-së për vjedhje votash – rrëfim për mëkatin e tyre

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, ka reaguar pas akuzave nga PDK për vjedhje votash në Mitrovicë.

Murati tha se tash e sa vite Kosova shquhet për zgjedhje të lira që zhvillohen pa probleme të theksuara, dhe për këtë “një meritë e madhe i shkon pikërisht Lëvizjes Vetëvendosje”.

“Me komisionerët dhe vëzhguesit e saj, të cilët ndër vite kanë mbrojtur votën dhe integritetin e zgjedhjeve qoftë edhe me trupat e tyre. Këtë meritë tashmë na e kanë pranuar publikisht edhe kundërshtarët tanë politikë. Para se Vetëvendosje të futej në garë zgjedhore, zgjedhjet në Kosovë karakterizoheshin jo rrallë me vjedhje industriale të votave, e me vendvotime ku dalja ishte sa 120% e numrit të mundshëm të votuesve. Kjo ndodhte kryesisht në zona që njiheshin si bastione të PDK-së”, shkroi Murati.

“Prandaj kur pikërisht PDK-ja tash bërtet “kapeni hajnin”, kjo akuzë në fakt është rrëfim për mëkatin e tyre njësoj sikurse mëkatari që rrëfehet për mëkatet që ka bërë”, u shpreh tutje ai.

“Partia që do të hyjë në histori se i nxorri simpatizuesit e saj në shesh për të festuar humbjen, jo një herë por dy herë brenda një muaji, tash po kërkon shfajësim për dështimin. Turp!”, përfundoi Murati.

Related Articles