Nura i kërkon Memli Krasniqit të largojë dy anëtarët e PDK-së nga KQZ

Nura i kërkon Memli Krasniqit të largojë dy anëtarët e PDK-së nga KQZ

Kryetari i Skenderajt, Fadil Nura, përmes një postimi ka kërkuar nga kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi që të largojë nga pozitat dy përfaqësuesit e PDK-së, shkruan Gazeta Enigma.

Ai këtë kërkesë e ka bazuar shkaku i situatës së djeshme në Mitrovicë, pas dyshimeve të ngritura për vjedhje votash nga VV në disa klasë dhe shkolla në Mitrovicë, gjë që po shqyrtohet nga prokuroria.

Nura tha se sjellja e tyre “ishte për keqardhje” dhe nuk mbrojtën “dinjitetin dhe qëndrimet politike dhe interesat” e PDK-së.

“Anëtarët e Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) përfaqësojnë Partinë Demokratike të Kosovës në tërësi. Duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në skenën politike të vendit, si dhe angazhimin e vazhdueshëm të shumë anëtarëve tanë në mbrojtjen e votës së qytetarëve dhe të integritetit zgjedhor, vlerësojmë se sjellja e dy përfaqësuesve aktualë të PDK-së në KQZ ka qenë për keqardhje dhe në kundërshtim me interesat e partisë”, tha ai.

“Në vend që të kontribuojnë në mbrojtjen e qëndrimeve të Partisë Demokratike të Kosovës dhe të reagojnë ndaj fyerjeve dhe sulmeve të përsëritura nga përfaqësues të Lëvizjes Vetëvendosje në mbledhjet e KQZ-së, këta anëtarë kanë dështuar të mbrojnë dinjitetin dhe qëndrimet politike të partisë. Sjellje të tilla dëmtojnë imazhin dhe besueshmërinë e Partisë Demokratike të Kosovës në një institucion të rëndësishëm siç është KQZ-ja”.

Për këto arsye, siç tha ai “kërkojmë nga Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës që të ndërmarrë menjëherë masat e nevojshme për t’i liruar nga detyra këta dy anëtarë të KQZ-së dhe për t’i zëvendësuar me përfaqësues të tjerë me integritet të lartë profesional e politik, të cilët do të mbrojnë me dinjitet interesat e Partisë Demokratike të Kosovës dhe votën e qytetarëve të Republikës së Kosovës”.

Related Articles