Specialja e propozon Kurtin si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor për “Rezervat shtetërore”

Specialja e propozon Kurtin si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor për “Rezervat shtetërore”

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka refuzuar t’i përgjigjej çdo ftese për të dëshmuar të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovë (PSRK) lidhur me rastin “Rezervat shtetërore”.

Kryeministri Kurti ishte ftuar në cilësinë e dëshmitarit, duke qenë se kishte nënshkruar dy vendime që lidhen me ndarjen e mjeteve buxhetore për blerjen e grurit, vajit dhe sheqerit dhe përjashtimin nga procedura e prokurimit publik, thuhet në aktakuzën e siguruar nga “Betimi për Drejtësi”.

“Për ta siguruar dëshminë e dëshmitarit Kurti në këtë çështje penale, prokuroria i ka dërguar atij 3 thirrje të rregullta, e para më datë 11.12.2024 për t’u paraqitur në prokurori më datë 16.12.2024, ora 09:30, e dyta me datë 16.12.2024, për t’u paraqitur në prokurori nga datat 17-20.12.2024, ora 09-16:00, dhe thirrja e tretë, me datë 23.12.2024, për t’u paraqitur në prokurori, me datë 26.12.2024, ora 08:30. Në të tri thirrjet, dëshmitari ka gjetur arsye të ndryshme, për të mos u paraqitur në prokurori, për të cilat është njoftuar në kohë edhe gjykata”, thuhet në sqarimet e aktakuzës.

Por, prokurorët specialë i ishin drejtuar Gjykatës Themelore në Prishtinë me kërkesë për lëshimin e urdhrit për paraqitjen e dëshmitarit me detyrim dy herë radhazi, të cilat ishin miratuar nga ana e gjykatës.

Mirëpo, Kurti sërish nuk i ishte përgjigjur as këtyre ftesave. Në anën tjetër, bazuar në mospërgjigjen e ftesës së parë me detyrim, gjykata kishte shqiptuar gjobë ndaj kryeministrit Kurti.

“Më datë 13 mars 2025, dëshmitari Albin Kurti kishte parashtruar ankesë ndaj Vendimit të gjykatës për shqiptimin e gjobës për shkak të mosparaqitjes në prokurori. Më datë 24 mars 2025, Kolegji penal i Gjykatës Themelore në Prishtinë, kishte nxjerrë aktvendim me të cilin ishte refuzuar ankesa e dëshmitarit ndaj vendimit për shqiptimin e gjobës për shkak të mosparaqitjes në prokurori sipas urdhëresës së gjykatës”, thuhet në aktakuzë.

Duke u bazuar në këtë, prokurorët specialë Valdet Gashi dhe Milot Krasniqi i kanë propozuar gjykatës që kryeministri Kurti të dëgjohet si dëshmitar në shqyrtim gjyqësor.

Për rastin e “Rezervave shtetërore”, PSRK-ja ka ngritur aktakuzë ndaj ministres në detyrë të Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, si dhe ndaj ish-zëvendëssekretarit të MINT, Irfan Lipovica, si dhe drejtori i Departamentit të Rezervave Shtetërore në MINT, Hafiz Gara, për kryerjen e veprave penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar” dhe për “Zbulim të fshehtësisë zyrtare”. Ndërsa, afaristi Ridvan Muharremi akuzohet për kryerjen e veprës penale “Ndihmë në kryerjen e veprës penale të keqpërdorimit të pozitës apo autoritetit zyrtar”.

 Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.

Related Articles