Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Artan Behrami, në një deklaratë për media tha se prej tre muajsh, qytetarët e Mitrovicës janë siç u shpreh ai, në terror nga vizitat e kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, raporton Gazeta “Enigma”.
Tutje ai u shpreh se Kurti u mundua me çdo kusht të bëjë trysni, madje tha se vetëm sa nuk e ndërroi mbiemrim. Gjithashtu ai tha se fitorja e Faton Pecit është rezultat i një manipulimi.
“Që tre muaj qytetarët e Mitrovicës janë nën terror nga një kryeministër që kolonat e automjeteve të blinduara i ka deri në 1 kilometër dhe përtej terrorit, qytetarët e Mitrovicës në dy palë zgjedhje, edhe në rundin e parë edhe në balotazh kanë mbetur të habitur nga rezultatet të cilat kanë qenë në shpërputhje me atmosferën dhe me takimet që i ka pasur edhe Arian Tahiri edhe të tjerët në Mitrovicë”, tha Behrami në “Edicionin Special”.
“Këtu kanë ndodhur shumë gjëra të çuditshme dhe ka disa argumente. Argumente politike, por argumente dhe fakte të cilat ne i kemi gjetur në kutitë e votimeve. Argumentet politike janë që e kemi pasur 24 orë një kryeministër në detyrë, i cili ka ardhur në Mitrovicë dhe është mundur që të shantazhojë, kërcënojë qytetarë në baza ditore”. tha ai.
“Sa nuk ndërroi edhe mbiemrin, me bë Albin Peci, u mundua me çdo kusht dhe kjo trysni e tij e tregon këtë mbulimin e e manipulimit që ka ndodhur, sepse ka dashur të tregojë që rezultati i fitores së Faton Pecit, është si rezultat i pranisë time. Por, në fakt po del që nuk është rezultat i pranisë së tij, por është rezultat i një manipulimi”, u shpreh Behrami.
