Këngëtarja amerikanë, Pink është ofruar të paguajë gjobat e dhëna për ekipin norvegjez të hendbollit të grave, pasi ato veshën pantallona të shkurtra si lojtarët burra në vend të të poshtmeve bikini gjatë një ndeshjeje me Spanjën.
Skuadra e hendbollit u gjobit me 1,500 euro javën e kaluar, pasi u akuzua se theu rregullat nga Komiteti Disiplinor i Federatës Evropiane të Hendbollit.
“Unë jam shumë krenare për ekipin norvegjez të hendbollit, pasi ato po protestojnë kundra rregullave tejet seksiste. Jam e lumtur që do të paguaj gjobat tuaja për ju. Vazhdoni kështu.”
Sipas rregullores , lojtaret femra duhet të veshin “të poshtme bikini me brez të ulët dhe të ngushta pas trupit”.
Por, gjatë ndeshjes për medaljen e bronzit kundër Spanjës, vajzat norvegjeze veshën pantallona të shkurtra në shenjë proteste.
Prej kohësh lojtaret e këtij sporti e kanë quajtur këtë lloj uniforme “degraduese” dhe jashtëzakonisht “jopraktike”.
Federata Norvegjeze e Hendbollit ka deklaruar se ishin të përgatitur për këtë gjobë dhe se kanë ndërmend t’i vazhdojnë përpjekjet e tyre për të ndryshuar këto rregulla, që ata sipas tyre janë “diskriminuese dhe seksiste”.