Deputetja Jeta Statovci ka thënë se propozimi për Qeveri tranzitore nga kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, nuk ka qenë i duhur, në momentin kur Lëvizja Vetëvendosje i ka ftuar për koalicion.
Në emisionin “DPT te Fidani” në Klan Kosova, ajo ka deklaruar se, nëse do të kishte një Qeveri të përgjithshme nga të gjitha partitë, Kuvendi nuk do të kishte mundësi t’i kërkojë llogari Qeverisë, pasi të gjitha subjektet politike do të ishin pjesë e saj.
“Lumir Abdixhiku ka ofruar një qeveri të të gjithëve. Ne ishim të mjaftueshëm për të zgjidhur secilin proces në vend. Besoj se edhe me Nismën, në kombinim në hallkën e radhës, ose me mundësinë e zgjerimit, edhe çështja e presidentit do të ishte zgjidhur”, ka thënë ajo.
“Në idenë fillestare të bashkëpunimit me LDK-në, çështja e institucioneve ishte menduar të zgjidhej në tërësi, sepse ne ishim të mjaftueshëm. Andaj ka qenë e palogjikshme të kundërpropozohet një qeveri e të gjithëve, që në një farë forme i bie të jetë edhe qeveri totalitare. Sepse, nëse është e të gjithëve, kush është mekanizmi që e mban një qeveri të përbërë nga të gjitha partitë politike në llogaridhënie?”, ka përfunduar Statovci.
