Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lutfi Haziri, ka folur për gjasat e formimit të një Qeverie që do të mund të drejtohej nga Glauk Konjufca. Sipas tij, ka pak gjasa që Konjufca të mund të formojë një Qeveri të re, pa ndryshime në kabinet qeveritar e pa bashkëpunim.
Për kërkesën e Konjufcës që deputetët t’ia votojnë Qeverinë pa koalicion, Haziri deklaron se nuk sheh deputetë që “e kanë nxjerrë votën në tezgë, me shku me e marrë dikush”.
Sipas tij, vetë Konjufca është mandatar “me duar të lidhura dhe me gojë mshelë” e se nuk mundet me të njëjtën formulë si Kurti të formojë Qeveri.
“Kosova ka hy në një krizë të gjatë dhe Kosova nuk ka më as Kuvend e as Qeveri. Rasti i konstituimit të Kuvendit është në Gjykatë Kushtetuese e jemi në proces të hapur për zgjedhje të përgjithshme. Mandatari i parë, kryeministri në detyrë, nuk arriti me formu Qeveri. Pak e besueshme që zëvendësi i tij mundet si mandatar me ndërtu një Qeveri me formulën e njëjtë, me emrat e njëjtë, me një ndërrim të vetëm, pa bashkëpunim me parti politike, me deputetët e njëjtë”- tha Haziri.
Haziri ka thënë se LDK ka reaguar me “jo”-në e saj dhe se nuk kanë ndryshuar arsyet për të ndryshuar qëndrimi i LDK-së.
Për çështjen e zgjedhjes së Qeverisë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, u është përgjigjur gazetarëve më 10.11.2025, duke thënë se “kanë ngelur edhe 10 ditë dhe se informacion të saktë në lidhje me numrat apo mundësitë do të ketë në këtë javë dhe në fillim të javës së ardhshme”.
“Mandati i është dhënë nga zonja presidente Vjosa Osmani Glauk Konjufcës nga Lëvizja Vetëvendosje. Ne urojmë për më të mirën. E ritheksojmë, nuk mendojmë që është punë e mençur të shkojmë në zgjedhje edhe në dhjetor e më pastaj edhe sërish në prill”- tha ai.
Kurti, ka deklaruar se deputetët e Kuvendit të Kosovës janë para zgjedhjes: “Ose le të themi ‘Kurti 2.5’ deri në dhjetor ose ‘Konjufca 1’ deri në prill.”
“Por, pa asnjërën prej këtyre, nuk është e mundur. Domethënë duhet të përcaktohen për njërën prej këtyre”- tha ai për media më 10.11.2025.
Më 04.11.2025, Këshilli i Përgjithshëm i Lëvizjes Vetëvendosje mandatoi Glauk Konjufcën për kryeministër të vendit.
Në po të njëjtën ditë, presidentja Vjosa Osmani zyrtarisht mandatoi atë, dhe menjëherë ka filluar afati 15-ditësh i Konjufcës për të formuar Qeverinë e re.
“Nuk kemi emër tjetër, përveç propozimit nga partia e parë me emrin e zotëriut Glauk Konjufca… Mandatimi i tij është gjithashtu në përputhje me përgjegjësinë tjetër, që presidentja të ruajë stabilitetin e vendit duke shmangur zgjedhjet”- tha Osmani.
Pas mandatimit nga LVV, Konjufca u shpreh se nuk synon koalicione dhe qeveri afatgjate.
“Ideja ka qenë e thjeshtë, ta krijojmë një Qeveri të re për me i shmangë dy gjëra aq shumë të rëndësishme: e para janë zgjedhjet e reja dhe e dyta që të provojmë të bashkëpunojmë që të mundet Kosova me pasë buxhetin e saj për vitin 2026”- tha Konjufca para gazetarëve.
Propozimi i LVV-së për Qeveri të udhëhequr nga Konjufca u kundërshtua nga PDK, LDK, AAK dhe NISMA Socialdemokrate, të cilat kërkojnë zgjedhje e jo zvarritje të procesit, siç po e quajnë ata propozimin e LVV-së.
Kosova tashmë po i bën nëntë muaj pa institucione të reja, pra që nga zgjedhjet e 09.02.2025.
Mandatari i parë për Qeverinë, Albin Kurti, ka dështuar t’i marrë votat e nevojshme në Kuvendin e Kosovës për formimin e Qeverisë “Kurti 3”.
Për kanë votuar vetëm 56 deputetë, partitë e ish-opozitës kanë votuar kundër dhe katër vota kanë qenë abstenim.
Në ndërkohë, Gjykata Kushtetuese është ende duke e trajtuar një ankesë të Listës Serbe në lidhje me zgjedhjen e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e komunitetit serb, dhe ende është e paqartë nëse ky institucion do ta konsideroj të konstituar Kuvendin.
