Rama i reagon Çekut: Pishina gjysmë-olimpike në Podujevë nuk shërben për Lojërat Mesdhetare

Rama i reagon Çekut: Pishina gjysmë-olimpike në Podujevë nuk shërben për Lojërat Mesdhetare

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka theksuar  se ndërtimi i pishinës gjysmë-olimpike në qytetin e  Podujevës nuk plotëson kriteret për gara ndërkombëtare dhe se nuk është pjesë e planit zyrtar të Lojërave Mesdhetare “Prishtina 2030”. 

Kjo deklaratë vjen si reagim ndaj ministrit në detyrë të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrulla Çeku, i cili sot inspektoi punimet në projektin që kap vlerën prej 4 milionë eurosh.

Sipas kryetari Rama, objekti as nuk është paraparë në librin e kandidaturës dhe as në planin e Komitetit Organizativ.

“Për Lojërat Mesdhetare nuk ka as kërkesë, as nevojë për pishina gjysmë-olimpike. Prishtina ka nevojë për 2–3 pishina olimpike 50-metërshe me pishina ndihmëse në Parkun Olimpik në Bernicë, projekt që kjo Qeveri po e injoron”, ka shkruar Rama.

Kryetari i Prishtinës ka thënë se asnjë prej sporteve obligative – noti, waterpolo apo fin swimming – nuk mund të zhvillohet në këtë objekt sepse pishina nuk i plotëson kriteret teknike.

Rama theksoi se nuk është kundër investimeve në Podujevë, por sipas tij, objekti që po ndërtohet nuk lidhet me Lojërat Mesdhetare dhe po shpenzohen para publike mbi një plan “të gabuar dhe të pakonsultuar”. Ai e ftoi publikisht ministrin Çeku të ulet me ekipin organizativ për një qasje profesionale ndaj projekteve.

Related Articles