Nafta për përpunim në Rafinerinë e Pançevës, e cila është pjesë e Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS), sipas llogarive të zyrtarëve, mjafton edhe për dhjetë ditë të tjera.
Për shkak të sanksioneve të SHBA-së kundër NIS-it, që kanë ardhur si rezultat i pronësisë shumicë ruse, furnizimi me naftë të papërpunuar për Serbinë është ndërprerë.
Me ndihmën e shtetit, apo përmes sasive të naftës nga rezervat shtetërore, rafineria në Pançevë do të ketë lëndë të parë vetëm deri më 25 nëntor.
Në rast të zvogëlimit të kapaciteteve ose ndalimit të punës pas këtij afati, të parët që do ta ndienin goditjen, do të ishin punëtorët e rafinerisë.
Ministrja e Minierave dhe Energjetikës së Serbisë, Dubravka Gjedomiq Handanoviq, deklaroi më 15 nëntor se Shtetet e Bashkuara të Amerikës, që kanë vendosur sanksione ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë (NIS) për shkak të pronësisë pjesërisht ruse, nuk i kanë dhënë NIS-it “asnjë ditë që të mund të vazhdojë të punojë”.
Ajo në një konferencë të jashtëzakonshme për media tha se është marrë miratim vetëm për negociata mbi pronësinë, por, siç u shpreh, “jo edhe që NIS dhe rafineria të vazhdojnë të operojnë”, transmeton Beta.
Administrata amerikane ka qenë e qartë dhe ka thënë se dëshiron ndryshim të plotë të pronësisë së NIS-it dhe kërkon tërheqjen e plotë të pronësisë ruse nga kompania, tha Gjedomiq Handanoviq.
“Është e qartë se as për shtatë ditë nuk është e mundur të ndryshohet pronësia. Si ministre e energjetikës do të them se na presin vendime të vështira se a duhet të merret kompania, e pastaj të kompensohet dëmi”, tha ajo.
Ajo shtoi gjithashtu se e di që “presidenti Vuçiq ka thënë se është kundër nacionalizimit”, por “nuk do të lejojmë që vendi ynë dhe qytetarët të jenë të rrezikuar”.
Sa e rëndësishme është rafineria në Pançevë?
Shumica e produkteve të naftës që arrijnë në stacionet e benzinës, vijnë nga rafineria në Pançevë, ndërsa një pjesë më e vogël importohet.
Sipas presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, shteti ka ndërhyrë tashmë me më shumë se 80.000 tonë naftë bruto, të siguruar nga rezervat e mallrave, “në mënyrë që rafineria të mund të funksionojë”.
“Mund ta lëmë rafinerinë të mos funksionojë për 15-20 ditë, por pas kësaj do të duhet edhe një muaj që të fillojë të funksionojë. Kjo do të ndikojë në shkallën tonë të rritjes, kjo do të ndikojë në produktin e brendshëm bruto, pagat, pensionet, gjithçka… Njerëzit duhet ta dinë këtë”, tha Vuçiq për Radio Televizionin e Serbisë (RTS) më 23 tetor.
Serbia plotëson vetëm një të pestën e sasisë së kërkuar të naftës nga prodhimi vendas, sipas të dhënave nga Agjencia serbe e Energjisë. Pjesa tjetër e naftës importohet. Nafta bruto përpunohet në produkte nafte në rafineri, të cilat më pas u shpërndahen konsumatorëve.
Çfarë thonë kompanitë e naftës?
Shoqata e Kompanive të Naftës e Serbisë (UNKS) konfirmon për Radion Evropa e Lirë se importet e produkteve të naftës janë rritur ndjeshëm që nga 10 janari, kur SHBA-ja e vendosi NIS-in në listën e sanksioneve, me qëllim zëvendësimin e sasive të karburantit që mungojnë.
Sipas Tomisllav Miqoviqit, sekretar i përgjithshëm i UNKS-së, kompanitë anëtare të shoqatës janë importueset më të mëdha të produkteve të naftës në Serbi.
“Importi është rritur gradualisht. Së shpejti, pengesat logjistike do të jenë një sfidë më e madhe sesa vullneti dhe kapaciteti i kompanive anëtare për të importuar”, thotë Miqoviq.
Serbia nuk ka dalje në det, çka e vështirëson transportin dhe logjistikën.
“Meqenëse importi bëhet përmes Danubit… pastaj me hekurudhë dhe transport rrugor, në çdo fazë të këtij transporti mund të paraqiten vështirësi”, shpjegon Miqoviq.
Kush do t’i ndiejë pasojat?
Në rast të ndërprerjes së punës së rafinerisë në Pançevë, ekonomisti Millan Kovaçeviq thotë se Serbia do të detyrohej të importonte derivate të gatshme të naftës nga shtetet tjera.
“Në mënyrë të pashmangshme, këto burime të tjera do të ishin më të shtrenjta”, thotë ai për Radion Evropa e Lirë.
Çmimet e karburanteve – vlera maksimale e të cilave përcaktohet një herë në javë nga Ministria e Tregtisë së Brendshme dhe të Jashtme e Serbisë – kanë lëvizur gjatë dhjetë muajve të fundit.
Aktualisht, ato janë pak më të ulëta krahasuar me çmimet e 10 janarit, kur NIS-i u fut në listën e sanksioneve të SHBA-së.
Krahasuar me BE-në, çmimet e benzinës në Serbi janë në nivel të ngjashëm, ndërsa dizeli është rreth 10 për qind më i shtrenjtë. Për këtë llogaritje janë marrë të dhënat e Komisionit Evropian nga nëntori.
Në rast se rafineria në Pançevë ndalon punën, Kovaçeviq nuk e përjashton as mundësinë e mungesave të karburanteve.
“Nga aspekti logjistik, është vështirë të garantohet se nuk do të ketë mungesa, sepse e dimë që nuk kemi qasje në asnjë det për furnizim me naftë dhe e dimë që derivatet për tregun tonë janë siguruar pothuajse ekskluzivisht nga Pançeva”, thotë Kovaçeviq.
Sipas tij, të parët që do të prekeshin, do të ishin konsumatorët, e më pas edhe vetë ekonomia.
“Të dyja palët do të duhej patjetër të përballonin koston – qytetarët me një standard më të ulët jetese, ndërsa ekonomia dhe sektorët e tjerë me kushte më të vështira operimi. Kjo do të thotë se aktiviteti ekonomik do të ngadalësohej dhe do të kishte ndikim negativ në prodhimin e brendshëm bruto”, shpjegon Kovaçeviq.
Situata, sipas tij, bëhet edhe më e ndërlikuar nga fakti se kompania ruse, Lukoil, është gjithashtu nën sanksione.
Kjo kompani, e cila kërkon blerës për asetet e saj jashtë Rusisë, ka rreth 7 për qind të tregut me pakicë të derivateve të naftës në Serbi.
Ku kanë mbetur negociatat për sanksionet?
Ndërkohë, negociatat për fatin e NIS-it vazhdojnë – mes Rusisë, si pronare shumicë, dhe SHBA-së, e cila ka vendosur sanksione ndaj kompanive energjetike ruse.
Sanksionet amerikane synojnë të pamundësojnë financimin e pushtimit që Moska ka nisur ndaj Ukrainës në shkurt të vitit 2022.
Edhe pse në janar refuzoi mundësinë e nacionalizimit të NIS-it – pra që kompania më e madhe e naftës në Serbi t’i kthehej kontrollit shtetëror – presidenti i Serbisë, Vuçiq, tha për RTS-në më 23 tetor se shteti do të ndërhyjë, sapo të shfaqen probleme me furnizim.
“Ditën e parë që të kemi probleme, ne do t’i marrim gjërat në duart tona dhe do t’i zgjidhim – ditën e parë. Këtë ua kam thënë të gjithëve: edhe rusëve, edhe amerikanëve”, u shpreh Vuçiq.
Ai nuk specifikoi se cilat masa konkrete do të mund t’i ndërmerrte shteti.
Sipas ministres së Minierave dhe Energjisë në Serbi, Dubravka Gjedoviq Handanoviq, Rusia është e gatshme t’ia dorëzojë kontrollin dhe ndikimin mbi NIS-in një pale të tretë – gjë që është mbështetur edhe nga autoritetet në Beograd.
Ndërkohë, kërkesa e NIS-it drejtuar autoriteteve amerikane për heqjen e kompanisë nga lista e sanksioneve, mbetet ende në pritje.
