Kurti: Nëse dështon sot seanca, humbim miliona që do t’i marrin shtete të tjera

Kurti: Nëse dështon sot seanca, humbim miliona që do t’i marrin shtete të tjera

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë se po që se Kuvendi nuk i miraton sot propozimet e rendit të ditës për kreditë dhe marrëveshjet ndërkombëtare dhe vendi shkon në zgjedhje të reja, Kosova do të humbë miliona euro.

Sipas tij, ka shumë shtete që presin të përfitojnë kredi si ato të cilat i ka miratuar qeveria e tij.

Ai ka thënë se komisionet e përhershme duhet të formohen pavarësisht a ka qeveri apo jo.

Tek ka folur për marrëveshjet financiare, Kurti ka thënë se “afatet po ecin” dhe se “koha nuk është burim i ripërtërishëm”.

“Koha kalon në të kaluarën në pakthim. Çdo vonesë e mëtejme e komplikon dhe rrezikon përfitimin dhe zbatimin e fondeve”, ka thënë ai teksa ka folur për Planin e Rritjes dhe Marrëveshjen për reforma me Bankën Botërore në vlerë prej 90 milionë euro, e që sipas Kurtit janë kredi me kamatë zero.

“Nëse shkojmë në zgjedhje këto mjete pra 90 milionë euro për të cilat ne kemi punuar e angazhuar, do të humbin, sepse ka shumë shtete tjera presin me krahë të hapur financim të tillë”, ka thënë ai.

Related Articles