Agjencia e Menaxhimit emergjent ka njoftuar se aktualisht, sa i përket vërshimeve, situata është e qetë.
“Në disa zona janë evidentuar vërshime të tokave bujqësore, si dhe depërtime të ujërave nëpër shtëpi, kryesisht nëpër podrume”, njofton AME.
Tutje shton se Njësitë Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit kanë kryer 76 intervenime në Prishtinë, Fushë Kosovë, Ferizaj, Gjilan, Viti, Kllokot, Podujevë, Mitrovicë, Lipjan, Kamenicë, Novo Bërd, Junik, Ranillug dhe Shtime.
“Për shkak të situatës janë evakuuar gjithsej 6 familje në komunat: Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Gjilan”, bën të ditur AME që thekson se pas vlerësimit të gjendjes në terren dhe rënies së intensitetit të reshjeve, situata konsiderohet më e qetë dhe nën kontroll.
