Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, i ka reaguar nënkryetares së Kuvendit nga LVV, Albulena Haxhiut, pasi kjo e fundit postoi një fotografi të deputetëve të PDK-së me ata të Listës Serbe, me mbishkrimin “në harmoni të plotë”.
Kjo ngjalli reagime pasi pjesë e deputetëve të PDK-së është edhe mbesa e Adem Jasharit, Sala Jashari.
Çitaku tha se “për fat të keq, sot, për nevojat e një narracioni të ulët politik, një nënkryetare e Kuvendit, deri dje Ministre e Drejtësisë, guxon t’i thotë edhe asaj se është “në koordinim me Listën Serbe”.
“Jo vetëm Sala, por secila deputete dhe secili deputet i PDK-së ka më shumë atribut dhe kontribut për shtetin e Kosovës sesa kjo nënkryetare”, shkroi Çitaku.
Reagimi i saj i plotë:
Më 5, 6 dhe 7 mars, në Prekaz, në betejën më emblematikе të kombit shqiptar, me pushkë në dorë ranë edhe Sala dhe Hamit Jashari. Dy heronjë të Kosovës.
Sot, mbesa e nënës Salë, Sala e re, Sala Jashari, Sala jonë e mirë, me votën e shqiptarëve patriotë, është zgjedhur deputete e Kuvendit të Kosovës.
Por, për fat të keq, sot, për nevojat e një narracioni të ulët politik, një nënkryetare e Kuvendit, deri dje Ministre e Drejtësisë, guxon t’i thotë edhe asaj se është “në koordinim me Listën Serbe”.
Jo vetëm Sala, por secila deputete dhe secili deputet i PDK-së ka më shumë atribut dhe kontribut për shtetin e Kosovës sesa kjo nënkryetare.
Diku kemi gabuar, në fakt, që një profil i tillë ka arritur të mbajë pozita të larta shtetërore, kjo është e dukshme.
Por uroj që sot të jetë fillimi i fundit të këtij mentaliteti.
E turpshme, për besë!
