Rama i dërgon kërkesë urgjente Kurtit për buxhetin e Prishtinës

Rama i dërgon kërkesë urgjente Kurtit për buxhetin e Prishtinës

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i ka dërguar një kërkesë urgjente kryeministrit në detyrë lidhur me ndarjet buxhetore për 2025. Në kërkesë Rama ka thënë se ministri në detyrë i Financave nuk u është përgjigjur shumë kërkesave paraprake, andaj edhe e ka parë ndërhyrjen e kryeministrit në detyrë të “pashmangshme”.

Rama ka thënë se mungesa e përgjigjes dhe veprimeve ka krijuar bllokadë që po rrezikon funksionimin e shërbimeve publike në kryeqytet.

Ai ka paraqitur dy kërkesa, alokimit e plotë të hyrave vetanake dhe zbatimin e vlerave të miratuara për ndarjen buxhetore 2025.

“Është e papranueshme që qytetarët të bëhen peng i dinamikave politike. Përgjegjshmëria institucionale kërkon veprim të menjëhershëm”, ka shkruar Rama.

Kryetari i kryeqytetit e ka akuzuar në vazhdimësi Ministrinë e Financave dhe ministrin në detyrë, Hekuran Murati, për çështjen e buxhetit të vitit 2025. E Murati ka thënë se faji është te pushteti komunal që e ka vonuar miratimin në Asamble dhe i partive opozitare që më pas nuk e përkrahën formimin e komisioneve parlamentare për të kaluar tutje këtë çështje në Kuvendin e Kosovës.

Rama një kërkesë të tillë e ka dorëzuar edhe në Gjykatën Kushtetuese të martën.

Related Articles