Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) ka reaguar ashpër ndaj vendimit “të paligjshëm, arbitrar dhe abuziv të një pjese të anëtarëve të Këshillit Prokurorial të Kosovës” për shkarkimin e Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, Besim Kelmendi.
Në mungesë të kuorumit për vendimmarrje, sipas tyre, kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj.
“Megjithatë, pas mbylljes së takimit dhe ndaljes së transmetimit të mbledhjes, pesë (5) anëtarët e mbetur të KPK-së, të cilët nuk përbëjnë kuorumin e nevojshëm për vendimmarrje, u rikthyen në takim. Përkundër pamundësisë ligjore për të mbajtur mbledhjen, ata nxorën një vendim të kundërligjshëm dhe arbitrar për shkarkimin e U.D. Kryeprokurorit të Shtetit dhe caktimin e një U.D. tjetër në këtë pozitë.
Kjo mënyrë e veprimit, përveç se e kundërligjshme, është haptazi kapje e institucionit, në kuptimin literal të saj.
Përderisa me këtë përbërje të KPK, kuorumi minimal i vendimmarrjes është të paktën gjashtë (6) anëtarë, pa të cilët nuk mund të mbahet mbledhja, mbajta e takimit dhe nxjerrja e vendimit për shkarkimin dhe caktimin e ri të U.D. Kryeprokurorit, në mungesë të kuorumit, është një vendim abuziv i një pjese të anëtarëve të KPK, që nuk kanë shumicën e nevojshme për mbajtjen e takimeve të KPK dhe aq më pak për vendimmarrje.”
Për këto zhvillime, Zyra e Bashkimit Evropian e kishte paralajmëruar KPK, duke theksuar se nëse situata si kjo e sotmja ndodhin, Bashkimi Evropian do ta konsiderojë KPK-në dhe anëtarët e saj si pengues të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të reformës aq të nevojshme në drejtësi.
“Megjithatë, ndërkohë që jemi në pritje të hyrjes në fuqi të ligjit të ri si edhe rishikimit vijues nga Komisioni i Venedikut në qershor, jam njoftuar për disa zhvillime për keqardhje. E kuptoj që ka diskutime për dorëheqje të parakohshme të bashkërenduar të anëtarëve të Këshillit në mënyrë që të ruhet përbërja aktuale e çekuilibruar e Këshillit dhe të vonohet zbatimit i reformës. Po ashtu e kuptoj që ka diskutime lidhur me zëvendësimin e mundshëm të Ushtruesit të Detyrës së Kryeprokurorit të Shtetit, para hyrjes në fuqi të ligjit të ri. Është e qartë që këto nisma do ta minonin qëllimin dhe efektivitetin e legjislacionit të ri dhe rrjedhimisht të sundimit të ligjit. Nëse këto nisma çohen përpara, BE-ja do ta konsiderojë KPK-në dhe anëtarët e saj si pengues të qëllimshëm dhe të drejtpërdrejtë të reformës aq të nevojshme në drejtësi”, thuhej në letrën e Ambasadorit Aivo Orav dërguar më 28.05.2025 për anëtarët e KPK-së.
