Ndërmarrja Publike Komunale “Trafiku Urban” ka paralajmëruar se nga java e ardhshme, ofrimi i shërbimit të transportit publik rrezikon të pezullohet plotësisht, për shkak të pamundësisë financiare të shkaktuar nga bllokimi i mjeteve buxhetore.
Në njoftim thuhet se kjo situatë ka ardhur si rezultat i moslëshimit të mjeteve nga Qeveria e Kosovës, përkatësisht Ministria e Financave, çka ka pamundësuar Komunën e Prishtinës të shlyejë detyrimet ndaj ndërmarrjes.
“Si rrjedhojë, “Trafiku Urban” po përballet me vështirësi të theksuara financiare, duke cenuar funksionimin operativ dhe aftësinë për të vazhduar ofrimin e shërbimit për qytetarët. Pavarësisht bilancit pozitiv dhe performancës së qëndrueshme të ndërmarrjes, vonesat në pagesa që nga muaji korrik kanë prekur furnitorët, partnerët bashkëpunues dhe proceset e brendshme teknike, duke krijuar rrethana që e bëjnë të pamundur operimin e rregullt”, thuhet në njoftim.
Kjo ndërmarrje ka apeluar për zgjidhje të menjëherëshme të bllokimit financiar, në mënyrë që të shmanget ndërprerja e qarkullimit për “rreth 60 mijë qytetarë që përdorin transportin çdo ditë”.
