Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, i shoqëruar nga zëvendësministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Liza Gashi, priti sot kryetarin e Bashkisë Hora e Arbëreshëve (Piana degli Albanesi), Rosario Petta.
Kurti shprehu interesin e Qeverisë së Kosovës për zgjerimin e bashkëpunimit me komunitetin Arbëresh, veçanërisht në ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore arbëreshe, pjesë e historisë sonë të përbashkët.
“Në takim u theksua rëndësia e rritjes së shkëmbimeve kulturore dhe akademike, duke vlerësuar hapat pozitivë të ndërmarrë në vitet e fundit. Diskutuan edhe për mundësinë e bashkëpunimit përmes festivalit të filmit, me synimin që Kosova të prezantohet në Kalabri dhe Sicili përmes aktiviteteve artistike e kulturore,” njoftoi ZKM.
Një tjetër temë e rëndësishme ishte përfshirja e komunitetit Arbëresh në programin veror “Shijo Kosovën”, për të forcuar lidhjet kulturore dhe njohjen e Kosovës nga të rinjtë dhe familjet arbëreshe.
Po ashtu, u theksua nevoja për lidhje mes institucioneve të arsimit të lartë në Kosovë dhe universiteteve të rajonit, me fokus në projekte kërkimore, shkëmbime akademike dhe mobilitet studentor. Kurti gjithashtu shprehu gatishmërinë për të mbështetur promovimin e gjuhës arbëreshe si pjesë e identitetit të përbashkët kombëtar dhe kulturor.
Të dy u pajtuan që, në kuadër të këtij bashkëpunimi, të ndërtohet një shtatore e komandantit legjendar, Adem Jashari, në Bashkinë Hora e Arbëreshëve.
