Kos në Tiranë: Rrezikohen gati 300 milionë euro për rrugë, spitale e shkolla

Kos në Tiranë: Rrezikohen gati 300 milionë euro për rrugë, spitale e shkolla

Komisionerja e BE-së, Marta Kos, tha se Komisioni Europian dëshiron që Plani i Rritjes të jetë tërësisht i suksesshëm për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor.

Ajo tha se në qershor është një afat i rëndësishëm në zbatimin e Planit të Rritjes kur edhe skadon periudha njëvjeçare e pritjes për reformat e papërmbushura,

Kos paralajmëroi se rrezikohen thuajse 300 milionë euro, të cilat kanë qenë të destinuara për vendet e rajonit për rrugë, spitale e shkolla.

“Objektivi ynë është që të ecni të gjithë përpara në sinkron. Pra, nuk duam që ndonjëri prej jush të mbetet pas. Sepse në fund të fundit i gjithë Ballkani Perëndimor i përket BE-së si anëtarë të barabartë me të drejta të plota, duke e njohur kështu faktin që ju do të keni arritur përputhjen e plotë me legjislacionin dhe vlerat e BE-së. Le të përqendrohemi sot në mënyrën se si mund ta përshpejtojmë punën në këtë pjesë të dytë që kemi përpara. Dhe kemi një afat, veçanërisht të rëndësishëm, që po afron. Në qershor do të kemi nga raundi i dytë i raportimit skadimin e periudhës njëvjeçare të pritjes së mëtejshme për reformat e papërmbushura dhe rrezikohen thuajse 300 milionë euro të destinuara për vendet tuaja. Këto janë fonde nga të cilat duhet të përfitojnë qytetarët tuaj me të cilat mund të ndërtoni linja tramvaji, rrugë, shkolla, spitale”.

Kos në samitin në Tiranë për Planin e Rritjes tha se duhet të diskutohen edhe mënyrat për të ulur roaming-in mes vendeve të Ballkanit Perëndimor që qytetarët të mos paguajnë më shumë për thirrjet që bëhen nga një vend tjetër i rajonit.

“Prandaj, le të diskutojmë sot se si mund të ulen më tej edhe tarifat e roamingut. Të paguash shtesë për telefonata në vendet e tjera është një gjë që tashmë s’e bëjmë në vendet e BE-së, pse duhet ta bëni ju?”.

Komisionerja europiane bëri thirrje që “të zhbllokojmë ato projekte që duhen për të përmirësuar infrastrukturën e transportit”.

Kos foli edhe për përfitimet që do të kenë qytetarët e Ballkanit Perëndimor nga një treg i përbashkët rajonal krahas paralajmërimeve se vendet që s’bëjnë progres në këtë drejtim do të rrezikojnë edhe qasjen në tregun e BE-së.

“Një treg i përbashkët rajonal plotësisht funksional do të rriste ekonomitë tuaja me 10%. Nga ana tjetër, mungesa e progresit apo ecurisë rrezikon edhe qasjen në tregun e vetëm të BE-së për ata që bllokojnë vendimet e që do t’i sillnin përfitime të gjithëve”.

Kos përsëriti se Plani i Rritjes i BE-së për rajonin është dizajnuar për të ndihmuar vendet drejt rrugës së tyre të anëtarësimit në bllokun europian.

“Le të shfrytëzojmë këto dy vite të mbetura për ta bërë Planin e Rritjes një sukses të vërtetë dhe për të përgatitur terrenin për anëtarësimin tuaj në BE sepse objektivi kryesor i Planit të Rritjes është që t’iu ndihmojmë që ju të zhvilloheni më tej që të bëheni anëtarë me të drejta të plota në BE në të ardhmen”.

Related Articles