Hoti i reagon Sejdiut: Nëse nuk kërkon falje publike, do të padisë për shpifje

Hoti i reagon Sejdiut: Nëse nuk kërkon falje publike, do të padisë për shpifje

Avdullah Hoti ka reaguar ashpër ndaj një postimi të ish-nënkryetarit të Prishtinës, Dardan Sejdiu, i cili sot është shprehur për procesin e blerjes së autobusëve të rinj për Trafikun Urban në vitin 2017. Hoti ka thënë se deklarimet e Sejdiut “janë të pavërteta” dhe se ai “po gënjen qëllimshëm”.

Në reagimin e tij, Hoti thekson se problemi për vonesat dhe procedurat nuk ka qenë te Qeveria, por tek Komuna e Prishtinës. Sipas tij, administrata komunale e asaj kohe nuk kishte nxjerrë vendimin e domosdoshëm nga Kuvendi Komunal, i cili do të garantonte pagesën e kredisë në rast se ndërmarrja Trafiku Urban nuk do të mund t’i përmbushte obligimet.

“Sapo ky vendim u miratua në Kuvendin e Komunës, marrëveshja është proceduar në Qeveri dhe më tutje”, shkroi Hoti, duke shtuar se është i bindur që Sejdiu e ka ditur këtë fakt.

Ai ka akuzuar më tej ish-udhëheqësit e Komunës së Prishtinës se atëkohë e kishin shndërruar këtë proces në çështje politike “për të mbuluar dështimet e tyre”. Hoti ka paralajmëruar se nuk do ta tolerojë më këtë, duke thënë se nëse Sejdiu nuk kërkon falje publike, ai do ta padisë për shpifje.

Hoti ka kujtuar edhe rastin e 70 dosjeve që ekipi i Sejdiut dhe i ish-kryetarit të Prishtinës, Shpend Ahmeti, i kishte dorëzuar në organet e drejtësisë pas marrjes së pushtetit në vitin 2013. Sipas tij, asnjë nga ato lënda nuk ishte konfirmuar dhe të gjitha ishin hedhur poshtë.

“Është dëshmuar se këto dosje kanë qenë pjesë e një agjende të ulët politike kundër LDK-së, kryeministrit Isa Mustafa dhe meje si ministër i Financave”, shkroi ai.

Në fund, Hoti u shpreh se Sejdiu dhe ish-udhëheqësit e Prishtinës do të duhej të kishin investuar më shumë energji në projekte për qytetin, në vend se “të rrëmohen nëpër arkiva”. Sipas tij, kjo mungesë angazhimi ka bërë që edhe sot kryetari aktual Përparim Rama të merret me projekte të mbetura përgjysmë nga atëherë.

“Më vjen keq për z. Sejdiu që pas kaq vitesh ende nuk është vetëdijesuar se ka qenë pjesë e një politike të ndyrë që po vazhdon t’i sjellë vetëm dëme Kosovës”, përfundon reagimi i Hotit.

Related Articles