Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka thënë të dielën vonë se bisedimet me Ukrainën në Gjenevë kanë qenë “më frytdhënëset dhe më domethënëset” qëkurse administrata Trump e mori detyrën në janar.
Rubio tha se takimet në Zvicër, që synojnë hartimin e një plani paqeje për konfliktin më të madh në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore, do të vazhdojnë deri në mbrëmjen e 23 nëntorit.
Vlerësimi i tij pozitiv u pasqyrua edhe nga kryenegociatori ukrainas, Andriy Yermak, i cili tha: “kemi arritur përparim shumë të mirë dhe po ecim drejt paqes së drejtë dhe të qëndrueshme”.
Mesazhi i tyre vjen pak orë pasi presidenti amerikan, Donald Trump, i kritikoi ashpër Ukrainën dhe vendeve evropiane, derisa diplomatët nga Shtetet e Bashkuara, Ukraina, Britania, Franca dhe Gjermania u mblodhën për bisedime në Gjenevë.
Takimet në qytetin pranë liqenit në Zvicër po përqendrohen në një plan 28-pikësh për ndalimin e luftimeve që kanë vazhduar qëkurse Rusia e nisi pushtimin e plotë të vendit fqinj në shkurt 2022..
Plani ende nuk është bërë zyrtarisht publik, por elementet kryesore të tij janë zbuluar, duke nxitur aleatët e Kievit të sugjerojnë se ai anon fuqishëm në favor të Rusisë.
Më herët, Trump kishte thënë se plani nuk ishte fjala e tij e fundit, duke sugjeruar se mund të bëheshin ndryshime. Por, komentet e tij në Truth Social mbrëmjen e së dielës tregonin pakënaqësi ndaj qëndrimeve të Evropës dhe Ukrainës.
“‘Udhëheqja’ e Ukrainës nuk ka shprehur asnjë mirënjohje për përpjekjet tona, dhe Evropa vazhdon të blejë naftë nga Rusia”, shkroi ai me shkronja të mëdha.
Dy vende të Bashkimit Evropian që ende blejnë naftë të papërpunuar ruse janë Hungaria dhe Sllovakia. Turqia, anëtare e NATO-s, gjithashtu blen naftë ruse.
Komentet e Trumpit sollën në kujtesë një takim të tensionuar në Shtëpinë e Bardhë në shkurt, kur nënpresidenti JD Vance akuzoi presidentin ukrainas Volodymyr Zelenskyy se nuk kishte shprehur falënderime për mbështetjen e madhe ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së.
Megjithatë, Zelenskyy shpesh ka shprehur mirënjohje, si gjatë një vizite në Uashington në gusht.
Yermak, duke qëndruar pranë Rubios gjatë një pushimi në bisedimet e Gjenevës, tha: “Ne i falënderojmë miqtë tanë të mëdhenj, Shtetet e Bashkuara dhe personalisht presidentin Trump”.
Më vonë të dielën, në një postim tjetër në rrjetet sociale, Zelenskyy i shprehu personalisht falënderime Trumpit për ndihmën që “po u shpëton jetën ukrainasve”.
Çfarë përmban plani?
Shumë prej kushteve të marrëveshjes kërkojnë lëshime të mëdha nga Kievi dhe duket se pasqyrojnë shumë prej kërkesave të Kremlinit, përfshirë dorëzimin e rajoneve ukrainase Donjeck dhe Luhansk – të njohura si Donbas – dhe të Krimesë, si dhe vendosjen e kufizimeve mbi madhësinë e ushtrisë ukrainase.
Kievi gjithashtu do të detyrohej ta mëshironte në Kushtetutën e vet ndalimin e anëtarësimit në NATO, ndërsa kufizime do të vendoseshin edhe mbi vetë aleancën ushtarake perëndimore lidhur me vendosjen e trupave të saj.
Sanksionet financiare ndaj Moskës do të zbuteshin, sipas planit.
Në këmbim, Ukraina do të merrte një formë “garancish sigurie”, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara, do të lejohej të anëtarësohej në Bashkimin Evropian dhe do të përfitonte disa përparësi financiare.
Rusia gjithashtu do të detyrohej të tërhiqej nga disa zona të Ukrainës që aktualisht i mban të pushtuara.
Aleatët evropianë të Ukrainës, të cilët nuk u përfshinë në hartimin e planit amerikan, kanë thënë se propozimi kërkon “punë shtesë”.
Në një komunikatë të përbashkët, liderët e Britanisë, Gjermanisë, Francës, Spanjës dhe Italisë, së bashku me zyrtarë të lartë të BE-së dhe liderët e Japonisë dhe Kanadasë, paralajmëruan se kufijtë “nuk duhet të ndryshohen me forcë”.
Ata ngritën shqetësime se kufizimet e propozuara për ushtrinë ukrainase do ta linin vendin të cenueshëm ndaj ndonjë sulmi në të ardhmen.
Ndaras, grupimi i tetë vendeve baltike tha se kishin folur me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të riafirmuar mbështetjen për Kievin dhe u zotuan të vazhdojnë furnizimin me armë, ndërkohë që forcojnë mbrojtjen e Evropës për të penguar agresionin e mëtejshëm rus.
Në një komunikatë të përbashkët, Danimarka, Estonia, Finlanda, Islanda, Letonia, Lituania, Norvegjia dhe Suedia thanë: “Rusia deri më tani nuk është angazhuar për një armëpushim apo hapa drejt paqes”.
Ndërkohë, zyrtarë në Rusi dhe në Ukrainë raportuan për sulme të reja më 23 nëntor.
Një vajzë 11-vjeçare ishte mes 19 personave të plagosur nga sulmet me dronë në rajonin ukrainas të Dnipropetrovskut, tha Vladislav Haivanenko, kreu i administratës ushtarake rajonale.
Aeroporti Vnukovo i Moskës pezulloi fluturimet pasi kryebashkiaku i qytetit, Sergei Sobyanin, raportoi dronë ukrainas që po afroheshin.
Zelensky ka thënë se vendi i tij po përjeton “një nga çastet më të vështira” në historinë e tij, duke paralajmëruar se rrezikon ta humbë njërin nga aleatët e tij kyç – Uashingtonin – por se Kievi nuk do t’i “tradhtojë” interesat e veta në asnjë negociatë.
