Osmanit flet me kongresistët amerikanë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Osmanit flet me kongresistët amerikanë për anëtarësimin e Kosovës në NATO

Presidentja Vjosa Osmani, priti sot në takim Kongresistin Michael Turner (R–OH) si dhe Kongresistin Donald Norcross (D–NJ), me të cilët diskutoi zhvillimet e fundit në vend dhe thellimin e bashkëpunimit bilateral në mes të Kosovës dhe ShBA-së.

Sipas njoftimit të Presidencës, Osmani shprehu mirënjohje për bashkëpunimin e shkëlqyer me Kongresistin Turner dhe ekipin e tij gjatë Sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s në Dayton, si dhe për mbështetjen bipartizane të ShBA-së ndaj Kosovës.

Kjo mbështetje, theksoi ajo, ka qenë e pazëvendësueshme në periudhën që solli lirinë, pavarësinë e pastaj shtetndërtimin e demokracinë.

Asnjë nga këto të arritura, theksoi Osmani, nuk do të ishin të mundura pa përkrahjen amerikane.

Më tej, bazuar në njoftimin e lëshuar për media, presidentja theksoi se Kosova mbetet vendi më pro-amerikan në botë, thellësisht i përkushtuar ndaj reformave, bashkëpunimit rajonal dhe forcimit të partneritetit me ShBA-në. Ajo diskutoi edhe për bashkëpunimin me Administratën e Presidentit Trump në fusha të ndryshme të interesit të dyanshëm.

Osmani ritheksoi se anëtarësimi i Kosovës në NATO është imperativ strategjik për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor dhe për paqen në kontinentin evropian.

“Për më tepër, potencoi se ushtarët e FSK-së tashmë shërbejnë përkrah ushtarëve amerikanë në misione jashtë vendit duke kontribuar për paqen e stabilitetin global, e njëkohësisht Kosova ka ndërmarrë hapa vendimtarë në fuqizimin e sektorit të mbrojtjes e sigurisë, duke shpenzuar tashmë 2% të GDP-së në mbrojtje, me synim që kjo të dyfishohet brenda pak vitesh”, thuhet në njoftim.

Sa i përket sigurisë së brendshme dhe kërcënimeve rajonale, Osmani nënvizoi punën profesionale të institucioneve të sigurisë e njëkohësisht rëndësinë e vazhdimit të prezencës amerikane në kuadër të KFOR-it.

Ajo theksoi se prania amerikane mbetet garancë e rëndësishme e paqes dhe sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin, duke shprehur falënderimin e popullit të Kosovës për këtë kontribut.

“Presidentja Osmani ritheksoi se edhe pas më shumë se dy vjetësh, Serbia ende po i përkrahë terroristët që kryen aktin e agresionit në Banjskë, sepse autorët, përfshirë Milan Radojçiqin, nuk i janë dorëzuar drejtësisë. Ajo theksoi se llogaridhënia, si për këtë akt agresioni, ashtu edhe për sulmin ndaj ushtarëve të KFOR-it e sulme të tjera, është thelbësore për stabilitetin rajonal dhe për parandalimin e akteve të ngjashme në të ardhmen”.

Related Articles