Eugen Cakolli nga Instituti Demokratik i Kosovës (IKD) ka thënë se seanca e Kuvendit Komunal të Prishtinës është e jashtëligjshme, raporton Gazeta “Enigma”.
Cakolli përmes një postim në Facebook ka deklaruar se nuk ka sens logjik që një legjislaturë që ka mbyllur mandatin e saj, të marrë vendime për një legjislaturë që e merr mandatin pas disa ditësh.
“Seanca e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prishtinës, e thirrur për 27 nëntor, është po aq – e në disa aspekte edhe më – e paligjshme dhe në kundërshtim me parimet demokratike sa ishte edhe ajo e fundit e thirrur në Kuvendin e Kosovës, ku parashihej votimi i buxheteve dhe pikave tjera”, tha ai.
“Institucionet pa legjitimitet të plotë dhe pa e ndjekur rendin logjik te gjërave nuk mund të marrin vendime që prodhojnë pasoja, detyrime financiare apo politike për institucionet pasardhëse. E për më keq, nuk ka asnjë sens logjik, e lëre më ligjor, që një legjislaturë që realisht e ka mbyllur mandatin e saj, të marrë vendime për një legjislaturë që e merr mandatin pas disa ditësh”, deklaroi Cakolli.
Tutje Cakolli ka theksuar se rolet dhe qëndrimet politike mund të ndryshojnë, por parimet jo.
