Abdixhiku thotë se ofroi mundësi për votim të buxhetit – por se nuk u mbështet nga askush

Abdixhiku thotë se ofroi mundësi për votim të buxhetit – por se nuk u mbështet nga askush

Kryetar i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i ka reaguar presidentes Vjosa Osmani, e cila dje kritikoi opozitën, duke thënë se nuk kishte gatishmëri nga ta për votim të buxhetit dhe projekteve tjera me rëndësi.

Abdixhiku tha se në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, “i kam shprehur gatishmërinë Presidentes së vendit që të votohet një pako, e cila madje mund të quhej edhe Pako e Presidentes; me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes”.

“Në mbrëmje, po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, Presidentja më ka kontaktuar, duke më thënë se ka komunikuar me mandatarin, ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide. Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit. Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it”, tregoi Abdixhiku.

Megjithatë, kandidati për kryeministër tha se nga ai moment, nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë.

“15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik. Ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vet unë, na u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gadishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht”.

“Nuk pati asnjë lëvizje, anipse ishte vonë. Ani pse ishin shpenzuar 15 dië pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gatishmëri as për ta diskutuar bashkarisht në mjë vend këtë ide. Sot habitem se me sa lehtësi fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë. E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzor”, u shpreh tutje i pari i LDK-së.

“Gjithsesi, per të gjitha sfidat ka zgjidhje. Do ta shihni dhe në ditët në vijim se bllokada ishte e qëllimshme. Nuk është e re. Po zgjatë tash e 12 muaj. Se krejt kjo krizë është inskenim i një beteje të Don Kishotit me mullinj të erës. Kosova mund të bëhet lehtë. Është e jona. Do ta bëjmë”, u shpreh në fund ai. /Gazeta Enigma

Related Articles