Franca, së bashku me vende të tjera të Bashkimit Evropian, do të finalizojë një zgjidhje për t’i ofruar Ukrainës mbështetje financiare duke i përdorur asetet e ngrira ruse, tha të martën presidenti francez, Emmanuel Macron.
Duke folur pas një takimi virtual të atij që njihet si Koalicioni i Vullnetit, ai tha se Ukraina ka nevojë për paqe që është “serioze” dhe “respektuese ndaj të drejtës ndërkombëtare”, raporton agjencia e lajmeve “Reuters”.
Koalicioni i Vullnetit do të themelojë një grup punues të udhëhequr nga Franca dhe Britania, me përfshirjen e ngushtë të Turqisë dhe, për herë të parë, edhe të Shteteve të Bashkuara, për hartimin e garancive të sigurisë për Ukrainën porsa të arrihet paqja, shtoi presidenti francez.
“Gjatë ditëve në vijim, ne do t’i finalizojmë kontributet e secilës palë dhe do t’i finalizojmë këto garanci të sigurisë. Kjo është thelbësore për ukrainasit, është thelbësore për negocimin e një paqeje të besueshme dhe për mbajtjen e trysnisë ndaj Rusisë” – tha Macroni.
Të martën, Ukraina sinjalizoi mbështetje për kornizën e një pakti të paqes me Rusinë, por theksoi se disa çështje të ndjeshme duhet të rregullohen në një takim mes presidentëve Volodymyr Zelensky e Donald Trump.
Sa u përket aseteve të ngrira ruse, presidenti francez tha: “Ne do ta finalizojmë këtë në ditët në vijim, në bashkërendim me të gjitha shtetet evropiane që janë më së shumti të përfshira dhe, natyrisht, me Bashkimin Evropian dhe Komisionin Evropian, një zgjidhje që do ta sigurojë financimin, do t’i japë Ukrainës largësi shikimi dhe do ta mbajë këtë trysni [ndaj Rusisë].”
