Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj u ka kushtuar një shkrim të gjithë mërgimtarëve kosovarë.
Në Facebook, Haradinaj thotë se Kosova ka nevojë për diasporën, siç edhe ajo e ka mbajtur Kosovën gjallë në zemër.
Pos tjerash, i pari i AAK-së, tha se zëri, besimi dhe angazhimi i mërgimtarëve, u duhet gjithmonë.
Shkrimi i plotë i Ramush Haradinaj:
Rrugëtimi i mërgimtarëve
Atdheu ju mban me vete, kudo që shkoni.
E kam ndjerë gjithmonë peshën e mallit tuaj dhe forcën e dashurisë suaj për Kosovën.
Prej një shekulli, brez pas brezi, keni nisur rrugëtimin me një copë zemre të lënë në pragun e shtëpisë.
Ndoshta askush s’e di saktë se cili brez e filloi këtë udhëtim, sepse mërgimi juaj nuk është thjesht histori largimi. Është histori sakrifice, për jetën, për lirinë.
E mbaj në mend ndjenjën e mëngjeseve të hershme dhe mbrëmjeve të vona, në dhomat e ngushta të podrumeve dhe banesave, kudo në Evropë, ku malli për vendlindjen ziente me zërat e familjes, që i dëgjonim shumë rrallë me telefonat e kohës.
Vetëm mirëqenia e familjes nuk mjaftonte, andaj shumë prej jush e ndryshuan rrugën, nga rruga e punës, në rrugën mes maleve, për ta sjellë lirinë që sot e gëzojmë. Rrugëtimi ishte i atyre që luftuan e u angazhuan, i dëshmorëve e i heronjëve të cilët Kosova e shqiptaria gjithmonë i nderoi.
Rrugëtimi juaj nuk është i thjeshtë.
Ai fillon te gjyshi, kalon te babai, te i biri, e sot te nipi që po rritet për ta dashur Kosovën si familja e tij.
Krejt jeta e mërgimtarit është rrugëtim.
Krejt historia e tyre është rrugëtim.
Dhe secili prej jush e mban në zemër një pjesë të atdheut, kudo që jeton.
Faleminderit gjyshërve e baballarëve, faleminderit krejt brezave që se harruan vendlindjen.
Se harruan gjuhën e si harruan traditat.
Ju e doni Kosovën, më shumë se sa fjalët që mund ta tregojnë.
Dhe unë, si njëri prej jush dikur, e di se çdo hap që e bëjmë përpara, është edhe falë jush.
Prandaj, zëri juaj, besimi juaj dhe angazhimi juaj, na duhen gjithmonë.
Kosova ka nevojë për ju, siç edhe ju e keni mbajtur Kosovën gjallë në zemrat tuaja.
