Forumi Ekonomik i Brezovicës konfirmon Ballkanin si destinacion strategjik për investime

Forumi Ekonomik i Brezovicës konfirmon Ballkanin si destinacion strategjik për investime

Me pjesëmarrje të gjerë rajonale dhe evropiane, u përmbyll me sukses Forumi Ekonomik i Brezovicës 2025, i organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës në bashkëpunim me WB6 CIF.

Ngjarja u vlerësua si një ndër forumet më domethënëse ekonomike në rajon, duke vënë në pah potencialin e Ballkanit Perëndimor si hapësirë strategjike për investime dhe bashkëpunim ekonomik afatgjatë.

I zhvilluar në Brezovicë, vend me rëndësi të veçantë historike dhe simbolike, forumi bashkoi përfaqësues të lartë nga institucionet evropiane dhe rajonale, përfshirë EUROCHAMBRES, Këshillin e Bashkëpunimit Rajonal (RCC) nga Sarajeva, si dhe delegacione nga odat ekonomike dhe bizneset e gjashtë ekonomive të Ballkanit Perëndimor.

“Ballkani si Mundësi” ishte tema kryesore e diskutimeve, e cila theksoi domosdoshmërinë e krijimit të një rajoni më të integruar ekonomikisht, të hapur për investime dhe të orientuar drejt rritjes konkurruese. Pjesëmarrësit nënvizuan se në kontekstin e afrimit me Bashkimin Evropian, Ballkani Perëndimor është në një moment kyç për të forcuar bashkëpunimin ekonomik, novacionin dhe partneritetet ndërkufitare.

Një kontribut thelbësor në diskutime dha Banka Qendrore e Kosovës, veçanërisht në drejtim të modernizimit të sistemit financiar dhe krijimit të një ekosistemi financiar më gjithëpërfshirës dhe të diversifikuar për rajonin.

“Ky forum ka qenë një ditë e jashtëzakonshme për të promovuar Kosovën dhe rajonin. Brezovica është dëshmuar si një platformë unike për të diskutuar potencialin real dhe hapat konkretë të Ballkanit,” deklaroi kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna.

Forumi u mbështet nga partnerët kryesorë: Banka Ekonomike, Siguria, Fondi Rajonal i Sfidave dhe HBC Coca Cola, që luajtën rol të rëndësishëm në realizimin e edicionit të këtij viti.

Duke u bazuar në rezultatet e këtij edicioni, Oda Ekonomike e Kosovës dhe WB6 CIF konfirmuan se Forumi Ekonomik i Brezovicës do të vazhdojë si ngjarje vjetore. Edicioni i ardhshëm, Brezovica Economic Forum 2026, synon të zgjerojë pjesëmarrjen dhe të trajtojë tema edhe më strategjike, duke krijuar një platformë të qëndrueshme për një të ardhme ekonomike më të integruar dhe konkurruese në Ballkanin Perëndimor.

Related Articles