Të paktën 55 të vdekur nga zjarri në Hong Kong, policia fajëson kompaninë e ndërtimit për “neglizhencë”

Të paktën 55 të vdekur nga zjarri në Hong Kong, policia fajëson kompaninë e ndërtimit për “neglizhencë”

Një zjarr i madh është ende aktiv në një kompleks banimi në Hong Kong, teksa numri i viktimave është rritur në të paktën 55 persona, ndërkaq afër 300 të tjerë konsiderohen të zhdukur. Policia tha më 27 nëntor se zjarri u shkaktua nga “neglizhenca e madhe” e një firme ndërtuese që përdori materiale të pasigurta.

Pothuajse një ditë e plotë pasi nisi zjarri, zjarrfikësit ende nuk po mund të arrijnë te banorët që mund të jenë të bllokuar në katet e larta të kompleksit banesor Wang Fuk Court, për shkak të nxehtësisë së madhe dhe shtëllungave të tymit.

Policia tha se, përveç faktit që ndërtesat ishin të mbuluara me rrjeta mbrojtëse dhe plastikë që mund të mos i plotësojnë standardet e sigurisë nga zjarri, ata zbuluan se disa dritare që nuk ishte prekur nga zjarri ishin të mbyllura me një material prej shkume, që ishte instaluar nga kompania e ndërtimit që po kryente punime të mirëmbajtjes që një vit.

“Kemi arsye të besojmë se përgjegjësit e kompanisë kanë qenë jashtëzakonisht neglizhentë, gjë që çoi në këtë aksident dhe bëri që zjarri të përhapej në mënyrë të pakontrolluar, duke shkaktuar viktima të shumta”, tha Eileen Chung nga Policia e Hong Kongut.

Ajo shtoi se tre persona nga kompania e ndërtimit, dy drejtorë dhe një konsulent i inxhinierisë, janë arrestuar nën dyshime për vrasje nga pakujdesia në lidhje me zjarrin.

Të enjten në mëngjes, oficerët e policisë kontrolluan kompaninë e mirëmbajtjes së ndërtesave të kompleksit të banimit, duke sekuestruar dokumente që përmendnin Wang Fuk Court, raportuan mediat lokale.

Kompleksi banesor në qarkun verior Tai Po ka 2.000 apartamente në tetë blloqe, ku jetojnë më shumë se 4.600 persona, në një qytet që po përballet me mungesë kronike të banimit të përballueshëm.

Të enjten në mëngjes, autoritetet thanë se kishin vënë nën kontroll zjarrin në katër nga shtatë blloqet, ndërsa operacionet vazhdonin në tri blloqet e tjera. Pamjet nga vendngjarja, rreth 22 orë pasi kishte nisur zjarri, tregojnë se flakët po vazhdojnë në të paktën dy kulla 32-katëshe që janë të mbështjella me një rrjet të gjelbër ndërtimi dhe me skelë prej bambuje.

Skela prej bambuje është një element tradicional i arkitekturës kineze, por ka nisur të hiqet gradualisht në Hong Kong që nga muaji mars, për arsye sigurie.

Një zjarrfikës është mes 55 të vrarëve, ndërsa 45 persona që janë në spital janë në gjendje kritike, tha policia në Hong Kong në një konferencë për media të enjten.

“Prioriteti ynë është shuarja e zjarrit dhe shpëtimi i banorëve të bllokuar”, u tha gazetarëve udhëheqësi i Hong Kongut, John Lee.

“Së dyti, të mbështesim të plagosurit. Së treti, të ofrojmë mbështetje dhe rikuperim. Më pas, do të fillojmë një hetim të plotë”.

Ai shtoi se rreth 279 persona konsiderohen të zhdukur dhe 900 të tjerë gjenden në tetë strehimore.

Numri i viktimave nga kjo ngjarje është më i larti i shkaktuar nga zjarri në Hong Kong që nga viti 1948, kur 176 persona u vranë pasi një zjarr shpërtheu në një depo.

Related Articles