Pal Lekaj i bindur që Kurti s’do të jetë më në pushtet: AAK synon 10–12 deputetë

Pal Lekaj i bindur që Kurti s’do të jetë më në pushtet: AAK synon 10–12 deputetë

Ish-deputeti i AAK-së, Pal Lekaj, tha se Aleanca në zgjedhjet e ardhshme pret të marrë 10 deri në 12 deputetë, rreth 100 mijë vota.

Ai njoftoi se lista zgjedhore do të përfshijë kandidatë të suksesshëm nga niveli lokal dhe se fushata do të zhvillohet “derë më derë”.

“Në këto zgjedhje, Aleanca mund t’i ketë 10 deri në 12 deputetë, që i bjen diku afër 100 mijë votave. Kësaj here, ne do ta mbushim listën me atë që kanë qenë të suksesshëm në votë, kandidatët për këshilltar komunal do t’i vendosim në listë”, tha Lekaj.

Lekaj konfirmoi se Ramush Haradinaj do ta udhëheqë listën dhe është kandidat për kryeministër.

“Kësaj here do të shkojë derë më derë, jo me tubime të mëdha, por dorë më dorë me çdo qytetar.Ramush Haradinaj i prin listës dhe është kandidat për kryeministër të Kosovës”.

AAK do të garojë e vetme, por pas zgjedhjeve, sipas Lekajt, nuk do të ketë vija të kuqe për koalicione. Ai u shpreh i sigurt se pas zgjedhjeve “në qeverisje nuk do të jetë Albin Kurti, por ish-partitë opozitare”.

“Ne do të garojmë të vetëm, por pas zgjedhjeve nuk mendoj se duhet të ketë vija të kuqe. Sidoqoftë, unë mendoj se kësaj here, jam i bindur, që në qeverisje nuk do të jetë Albin Kurti, por qeverisjen do ta bëjnë ish-partitë opozitare dhe janë të gjitha kushtet që të ndodhë diçka e tillë në Kosovë”, tha Lekaj për Blic Interview me Astrit Gashin.

Related Articles