Punëtorët e Trafikut Urban paralajmërojnë radikalizim të protestës

Punëtorët e Trafikut Urban paralajmërojnë radikalizim të protestës

Punëtorët e Trafikut Urban dhe operatorëve privatë të transportit publik në Prishtinë kanë paralajmëruar radikalizim të veprimeve dhe bllokim të qytetit me autobusët nëse nuk zgjidhet çështja e mosalokimit të mjeteve financiare për pagat e tyre.

Përfaqësuesi i Trafikut Urban, Elmi Gashi, ka kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të Ministrisë së Financave dhe të Komunës së Prishtinës, duke theksuar se punëtorët janë bërë “top ping-pongu” në pritje të ekzekutimit të borxheve.

“Protesta po vazhdon si ditën e djeshme, por deri në alokimin e mjeteve për të shlyer borxhet ndaj Trafikut Urban dhe operatorëve privatë, situata nuk do të ndërpritet. Përkundrazi, do të radikalizohet në ditët në vijim. Ne presim që kjo të zgjidhet sa më shpejt, për hir të qytetarëve që vuajnë mungesën e transportit”, tha Gashi.

Ai ka paralajmëruar se, në rast të mosveprimit, autobusët do të përdoren për të bllokuar rrugët e kryeqytetit, duke marrë përgjegjësinë për veprimet e tyre.

“Ne do të veprojmë pavarësisht pengesave ligjore ose masave nga organet e rendit. Nuk mund të presim më ndërsa qytetarët mbeten pa transport”, shtoi Gashi.

Në lidhje me deklaratat e shefit të grupit të asamblistëve të Vetëvendosjes në Prishtinë, Gëzim Sveçla, Gashi ka theksuar se informacioni i tyre nuk ndryshon realitetin: komuna ende nuk ka marrë mjetet e alokuara nga Thesari i shtetit dhe nuk ka njoftim zyrtar nga Ministria e Financave për ekzekutimin e tyre.

Ndërprerja e qarkullimit të autobusëve në Prishtinë ka nisur më 24 nëntor dhe deri më sot, situata vazhdon të mbetet e pazgjidhur, duke shkaktuar vështirësi të mëdha për qytetarët. 

Related Articles